Aktualitet Rajoni

Ulen çmimet e roaming-ut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor!

Operatorët telefonikë nga Ballkani Perëndimor dhe nga vendet e Bashkimit Europian firmosën marrëveshje për zvogëlimin e dallimeve ndërmjet çmimeve për shërbimet e telefonisë celulare brenda dhe jashtë vendit në të dy drejtimet. Kështu njofton Komisioni Europian.

Marrëveshja vullnetare, e firmosur nga 38 operatorë nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor pritet të reduktojë shpenzimet për konsumatorët që udhëtojnë ndërmjet Unionit e rajonit, me të paktën një të tretën e çmimeve mesatare aktuale.

Kjo është një marrëveshje për të cilën u arrit dakordësi në samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të mbajtur dhjetorin e kaluar në Tiranë. Siç theksohet në njoftimin e KE-së, “ulja e çmimeve nxit dhe thjeshtëzon shkëmbimet e biznesit, kulturës, turizmit e të tjera ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke forcuar lidhjet mes rajoneve fqinje”.

Aktualisht, operatorët po punojnë për krijimin e produkteve me çmime më të ulëta se ato për të cilat u arrit dakordësi, që do të jenë në dispozicion për blerje nga numri më i madh i mundshëm i konsumatorëve.

Nënshkrimi i marrëveshjes për reduktimin e çmimeve të roaming-ut u përshëndet nga komisioneri europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Kjo marrëveshje vullnetare do t’i bëjë gjërat të parashikueshme e pritet të ndihmojë në eliminimin e befasive në faturat e konsumatorëve. Gjithashtu do të mundësojë reduktime të ndjeshme të kostove të roaming-ut për konsumatorët nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor.

Ky proces mbështetet edhe nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, përveçse nga Komisioni Europian. KE-ja i ka ftuar dhe operatorët e tjerë telefonikë nga Blloku dhe rajoni, për t’iu bashkuar nismës.

Nga 1 korriku i vitit 2021, rajoni i Ballkanit Perëndimor është zonë ku nuk aplikohen tarifat e roaming-ut. Vizitorët paguajnë për thirrje, për SMS dhe për akses në internet me të njëjtin çmim si në vendin e tyre, nëse ndodhen në territorin e Shqipërisë, Bosnjes, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut e Serbisë.

Marrëveshja për roaming-un mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është nënshkruar në prillin e vitit 2019. Pas saj, çmimet e thirrjeve telefonike janë reduktuar me rreth 27% nga korriku i atij viti, duke i hapur rrugën heqjes së plotë të tarifave të roaming-ut nga korriku i 2021-shit.