Aktualitet

Ulet me sukses avioni i parë, Rama jep detaje mbi aeroportin e ri të Kukësit!

Sot në aeroportin e Kukësit u ul avioni i parë. Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij shpjegoi se përse aeroporti do të mbajë emrin “Zayed, Flatrat e Veriut”. Në këtë ingurim ishte dhe Muhammed El Alabbar president i “EMAAR Group” me qendër në Emiratet e Bashkuara i cili do të ndërtojë portin e Durrësit.

Rama thotë se çdo aeroport  fillimisht nis si lokal, dhe më pas duhet një procedurë verifikimi për t’u bërë ndërkombëtar që zgjat 50-60 ditë.

Ai thotë se ka një interesim të lartë të kompanive për të patur fluturime nga aeroporti i ri në Kukës.

 “Pse quhet kështu Zayed? Sepse nuk është thjesht një aeroport i ri por njëkohësisht edhe një vend kujtese dhe godina e këtij aeroporti është një edhe një tempull i kujtesës së kësaj toke, kësaj zone, por edhe shqiptarësh nga Prishtina në Tiranë dhe kudo sepse në këtë zonë u ngrit edhe kampi i madh i atyre që u shpërngulën nga shtëpitë me dhunë, viktima të spastrimit etnik dhe u dyndën drejt Shqipërisë. Atë kohë këtu erdhën shumë njerëz nga e gjithë bota, mes tyre princi i kurorës Mohammed bin Zayed, i bri i sheikut Zayed, që me një vizion gjenial arriti t’u japë atyre Emirateve të Bashkuara Arabe dhe i ati e nisi të birin nga ai që sot është kryeministri i Duabit për t’u kujdesuar për valën e spastrimit etnik.

Aeroporti është Flatrat e Veriut, pasi këtu në veriun e Shqipërisë, nga Kukësi dhe matanë dhe prej andej nga erdhën motrat dhe vëllezërit tanë është i gjithë veriu i shqiptarëve, ku u shkruajt një nga historitë më tragjike, por me fundin më të lumtur. Brenda në aeroport do të gjeni jo vetëm një tribut për atë që ishte ideatori i pistës së solidaritetit, por edhe për ata që ishin shëmbëlltyra e dhimbjes dhe e një tragjedie që nuk duhet ta harrojmë kurrë, por edhe e një rezistence, pjesë e karakterit të shqiptarëve që kurrë nuk duhet ta humbasim” tha ai.

Rama sakaq tha se i mungon shumë edhe Hashim Thaçi, ku nënvizoi se në muret e aeroportit gjendet edhe një pjesë e historisë shqiptare, momenti kur Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova i hapen rrugë procesit pa kthim të çlirimit përfundimtar të Kosovës.

Ndërkaq Ministrja e Infrastrukturës dhe Transportit Belinda Balluku deklaroi se ky aeroport është operacional. Sipas Ballukut që nga sot do të nisin të gjitha testet me kompanitë ajrore. Po ashtu Balluku tha se në datën 17 qershor aeroporti i Kukësit do të jetë totalisht i përdorshëm nga të gjitha kompanitë.