Bota

Ulja e çmimeve të larta të energjisë, ministrat e BE-së arrijnë marrëveshje!

Kompanitë që ofrojnë energji në BE dhe po përfitojnë në mënyrë disproporcionale nga rritja e çmimeve të energjisë do të përballen me taksa shtesë pas një marrëveshjeje të arritur nga ministrat e BE-së. Këtë e njoftoi sot presidenca çeke e BE-së në Twitter.

Ministrat arritën një marrëveshje për marrjen e masave për të ulur çmimet e larta të energjisë elektrike.

Taksat shënjestrojnë fitimet e tepërta të kompanive të energjisë që kanë përfituar nga rritja e çmimeve që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Paratë e mbledhura nga shtetet anëtare do të vihen në dispozicion të familjeve dhe bizneseve në vështirësi që po përballen me fatura të frikshme. Ministrat e BE-se ranë dakord gjithashtu për reduktimin e kërkesës për energji elektrike.

Rritja e kostove të energjisë dhe të jetesës kanë nxitur vendet e BE-së të bashkojnë paketa të ndryshme të ndihmave që arrijnë në rreth 1% të produktit të brendshëm bruto (PBB) të Eurozonës.

Me Rusinë që i ka reduktuar Europës furnizimet me gaz dhe me dimrin që po afron, politikëbërësit po përgatiten për disa muaj edhe më të vështirë. Rritjet e çmimeve mund të përshpejtohen akoma më tej në disa vende, ndërkohë që recesionet po bëhen gjithnjë e më të mundshme.