Aktualitet

Ulje e nivelit të akcizës për gazin e automjeteve!

Qeveria shqiptare propozon unifikimin e akcizës për gazet e naftës dhe hidrokarbure të tjera gazoike për të gjitha destinacionet e përdorimit të tij, në nivelin 6 lekë për litër. Aktualisht, niveli i akcizës për këtë nënprodukt është 8 lekë litri, nëse përdoret si lëndë djegëse për automjetet dhe 0 lekë litri, për sasinë që shfrytëzohet nga konsumatorët e tjerë, për çdo qëllim.

Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj e bëri të ditur sot këtë, ndërsa prezantonte paketën e re fiskale për vitin 2022.

Përvoja e disa viteve ka treguar se administrimi i deklarimit të destinacionit të përdorimit të këtij nënprodukti është shumë i vështirë, duke krijuar mundësi për shmangie nga pagesa e akcizës. Ndaj, propozohet unifikimi i akcizës për këto produkte.

Sipas Ibrahimajt, nga unifikimi i akcizës për gazet e naftës dhe hidrokarburet e tjera gazoike në nivelin 6 lekë litri, pritet të arkëtohen rreth 375 milion lekë akcizë në vit. Nga sasia e importuar e kësaj lënde djegëse rezulton se rreth 2/3-at, 350 milion litra, nuk ngarkohen me akcizë, që nënkupton se nuk përdoren si karburant për automjetet. Rreth 1/3-at, 180 milion litra nga sasia e importuar, deklarohen për përdorim automjetesh dhe ngarkohen me akcizë.