Aktualitet

Ulje e tatimit mbi pagat në një kohë kur çmimet po kapin nivelin më të lartë/ Çfarë tha sot Rama…

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se do të ketë përgjysmim tatimi për pagat nga 40 deri në 50 mijë lekë. Sipas kreut të Qeverisë, nga kjo do të përfitojnë 60 mijë qytetarë. Në ditët e fundit, kryeministri Edi Rama ka bërë një sërë njoftimesh për ulje ta tatimit mbi pagat.

Të enjten u njoftua se nga 1 janari i vitit të ardhshëm paga minimale në vendin tonë do të bëhet 32 mijë lekë të reja nga 30 mijë lekë të reja që është aktualisht. Ndërsa për pagat deri në 40 mijë lekë, do të jetë zero taksim. Nga korriku i vitit të ardhshëm (2022) do të ulet tatimi edhe për pagat nga 150 deri në 200 mijë lekë të reja.

Këto vendime të Qeverisë vijnë në një kohë ku e gjithë bota po përballet me rritje rekord çmimesh.  Jo më larg se sot, Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara tha se çmimet globale të ushqimeve kanë arritur nivelin më të lartë në më shumë se një dekadë, pasi janë rritur për më shumë se 30 për qind gjatë vitit të kaluar. Sipas FAO në rritjen e çmimeve kanë kontribuar: ndërprerjet e furnizimeve, mbyllja e fabrikave dhe tensionet politike.

Në Shqipëri rritja e çimeve është ndjerë dhe po rëndon në xhepat e konsumatorëve megjithëse vendi ynë renditet i fundit në rajon për rritjen e çmimeve. Në vend të parë qëndron Serbia me 5.7 për qind. Kosova është vendi i dytë nga shtetet e Rajonit me normën më të lartë të rritjes së çmimeve me 4.9 për qind, ndërsa në vend të tretë është Bullgaria me një inflacion prej 4.8 për qind. Listën e vendeve e me normën më të lartë të rritjes së çmimeve e mbyll Mali i Zi me 2.9 për qind dhe Shqipëria përkatësisht me 2.5 për qind.