Ndërsa po vijon pa ndërprerje puna në kantierin e urës mbi lumin e Tiranës, pjesë e Unazës së Madhe të kryeqytetit, sot në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ndau momente nga puna në këtë kantier ku deri tani është realizuar mbi 70% e punimeve.
MIRËMËNGJES dhe nga kantieri i punës në urën mbi lumin e Tiranës, pjesë e Unazës së Madhe ku realizimi fizik ka kaluar 70% të punimeve, ju uroj një ditë të mbarë!
I gjithë projekti i Unazës së Madhe do të krijojë lehtësira të mëdha për Tiranën, që nga shkurtimi i distancave të lëvizjes me makinë, te reduktimi në masë i trafikut e deri te impakti i zhvillimit të bizneseve dhe rritjes së vlerës së pronës.
Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment rrugor të gjerë dhe me standarde, mbi 27 kilometra të gjatë. Ndërtimi i Unazës lehtëson trafikun dhe shkurton distancat, sidomos për mjetet që kalojnë tranzit në Tiranë apo lëvizin nga periferia jashtë saj. Kjo unazë do të bëjë të mundur një shpërndarje të trafikut.
Në të gjitha zonat ku kalon, vlerësohet se ky segment rrugor gjallëron jetën e komuniteteve dhe rrit vlerën e pronave e të investimeve të banorëve të tyre.