Aktualitet

Unioni i Transportit Publik: Nuk do të ofrojmë abone për gushtin!

Unioni i Transportit Publik paralajmëron ndërprerjen e aboneve në muajin gusht. Nga shteti kërkon subvencionim, në të kundërt rritet çmimi i biletës. Operatorët i kërkojnë qeverisë të ketë një tjetër paketë antikrizë për t’i subvencionuar për çmimin e lartë të naftës. Nëse nuk do të shpërndahen subvencionet, kompanitë e transportit urban në Tiranë përsërisin kërkesën për rritje të çmimit të biletës ose në rast të kundërt, shërbimi do të shkojë drejt mbylljes totale.

Paketa e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës do të mbështesë me fondin 5 milion dollarë sektorin e transportit. Fondi u përdor për të kompensuar 100 lekë/litër naftë të deklaruar si shpenzim pranë DPT, sipas një tavani mujor nevoje për secilin operator të transportit publik të udhëtarëve, qytetës, rrethqytetës e ndërqytetës të linjave, të licencuara nga DPSHTRR, MIE dhe Bashkitë, për një periudhë 3-mujore.

Në vijim Unioni i Transportit Publik i kërkon instancave shtetërorë ndërhyrjen e menjëhershme për miratimin e vendimit subvensionues për vijueshmërinë e paketës antikrizë ose në pamundësi të sajë rritjen e çmimit biletës të biletës ,për ta kthyer këtë shërbim rentabël. Në rast të mos reagimit operatorët nuk mund të ofrojnë biletat mujore (abone) për muajin Gusht 2022 ,duke shkuar në këtë formë drejt mbylljes totale.

Të gjithë operatorët e transportit urban janë në pamundësi financiare për të përballuar çmimin e lartë të naftës. Për këtë arsye nuk do të shesin më abone, pasi çmimi i abonesë është më i lirë se çmimi i biletave. Ne jemi kundër rritjes së çmimit të biletës për qytetarët, por nëse sektorin nuk vijon të subvencionohet, të ketë një paketë tjetër antikrizë efektet e mosmbështetjes do të jenë falimentimet e kompanive.

Në fillim të këtij viti, për 11 operatorët e transportit urban të Tiranës u miratua fondi prej 1 mln euro për të kompensuar rënien e numrit të pasagjerëve deri në 55% në pandemi.