Aktualitet

Universitetet mësim online, institucionet thirrje studentëve

Një ditë para fillimit të vitit akademik, Ministrja e Arsimit, thotë se sfidat janë të shumta në kushtet e zhvillimit online të procesit mësimor. Në rrjete sociale Evis Kushi deklaron se ecuria e pandemisë detyroi Komitetin e Ekspertëve të propozonte të paktën për një muaj mësimin në distancë. Sipas Kushit, fatmirësisht ky vendim i gjeti të përgatitura institucionet e arsimit të lartë që procesi të nisë dhe të zhvillohet pa ndërprerje. Një apel shkon për studentët, të cilëve ministrja Kushi u bën thirrje të respektojnë masat anti-covid që situata të shkojë sa më shpejt drejt normalizimit.

Ndërkohë edhe Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha i është drejtuar studentëve për t’i uruar për fillimin e vitit të ri akademik. Përmes një video shpërndarë në rrjetet sociale, Hoxha thekson se janë marrë të gjitha masat ndaj Covid-19, për të pasur një proces mësimor me kushte sa më optimale. “Jemi të detyruar t’i përgjigjemi situatës, për të vazhduar proceset akademike, në kushtet e imponuara. Shëndeti i studentëve është me më shumë rëndësi, ndaj duhet të punojmë në kushte pandemie për një vit akademik sa më cilësor” thotë Rektori Hoxha.

Apeli për shkollat

UNICEF, UNESCO dhe Banka Botërore janë bërë bashkë në një apel për mosmbylljen e shkollave pavarësisht zhvillimit të pandemisë. Tre organizatat ndërkombëtare deklarojnë se institucionet arsimore në të gjithë botën duhet të qëndrojnë të hapura pasi dëmi i shkaktuar nga izolimi i fëmijëve është më i rëndë se koronavirusi. Në një raport të përbashkët, UNICEF, UNESCO dhe Banka Botërore thanë se më shumë se 1.5 miliard fëmijë u prekën nga mbyllja e shkollave gjatë valës së parë të pandemisë në pranverë, gjë që sipas tyre, shkaktoi një krizë globale të paprecedentë të mësimit.