Bota

Uragani Ian “mbjell” shkatërrim në Florida, 17 viktima!

Shkatërrim i përmasave katastrofike, të paktën 17 viktima e mbi 2.6 milion qytetarë pa energji elektrike. Ky është bilanci paraprak i uraganit Ian që goditi Floridan. Raportohet se të shumtë janë ata që kanë mbetur të bllokuar dhe ekziston rreziku që situata të jetë shumë më tepër se dramatike. Duke folur nga zyra qendrore e Mbrojtjes Civile të Shteteve të Bashkuara, presidenti Joe Biden deklaroi:

Mund të jetë uragani më vdekjeprurës në historinë e Floridas. Në momente si këto, Amerika bashkohet e do të bashkohet si një skuadër e vetme!

Pasi goditi Kubën, Ian preku tokën në Cayo Costa, pranë Fort Meyers, si një prej uraganeve më të rrezikshëm në Shtetet e Bashkuara, me erëra me shpejtësi deri në 240 km në orë. Natën mes së mërkurës e së enjtes humbi forcë, duke u klasifikuar në stuhi tropikale, por më pas u riforcua duke u rikthyer në kategorinë uragan. Guvernatorët e Virxhinias, Xhorxhias e Karolinës së Jugut shpallën gjendjen e emergjencës.

Ndërkohë, vazhdojnë kërkimet për mbi 20 pasagjerë të një varke me emigrantë, që u përmbys për shkak të motit të keq. Disa zona si Cape Coral, qyteti Fort Myers, u shkatërruan dhe dëmet konsiderohen “historike”.

Guvernatori republikan i Floridas bisedoi në telefon me Biden-in për të diskutuar hapat që po ndërmerr administrata e tij për të mbështetur Floridan. Shefi i Shtëpisë së Bardhë do të shkojë vetë në terren, por pasi të dërgojë autoritetet përkatëse për të bërë vlerësimin e dëmeve.

Ndihmat paraprake në zonat më të goditura të Floridas përfshijnë subvencione për strehime të përkohshme e rindërtim të shtëpive, hua me interesa të ulëta për të mbuluar pronat e pasiguruara e të tjera programe për të ndihmuar sipërmarrësit që të kapërcejnë pasojat e katastrofës natyrore.