Bota

“Urgjente: kërcënim në sisteme”, sulmohet posta elektronike e FBI-së!

Hakerat sulmuan sistemin e jashtëm të postës elektronike të Byrosë Federale të Hetimit, FBI-së amerikane. Sulmi kibernetik i njoftuar dje nga mediat si Bloomberg, konfirmohet zyrtarisht: mijëra email-e të rremë u dërguan nga një llogari e FBI-së. Disa prej tyre kishin mbishkrimin: “Urgjente: kërcënim në sisteme”. Për shkak të sekretit hetimor, autoritetet amerikane po tregohen të rezervuara në dhënien e informacioneve për publikun.

Grupi i pavarur i sigurisë, Spamhaus raportoi se më 13 nëntor, pra një ditë më parë, email-et e rreme u dërguan në dy momente të ndryshme nga një adresë, në Portalin e Agjencive të Zbatimit të Ligjit, të përdorur nga shumë institucione qeveritare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Byroja Federale e Hetimit, FBI dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare dolën me një deklaratë të shkurtër:

Kjo është një situatë në zhvillim dhe nuk jemi në gjendje të japim ndonjë informacion shtesë në këtë moment. Ne vazhdojmë të inkurajojmë publikun që të jetë i kujdesshëm!

Ende nuk ka të dhëna mbi mënyrën si u dërguan email-et ose cilat sisteme mund të ishin sulmuar.