Bota

Uria vret më shumë se pandemia koronavirus!

“Oxfam” vlerëson se çdo minutë, 11 njerëz vdesin në botë nga uria. Organizata ndërkombëtare që merret me luftën ndaj varfërisë, sot publikoi raportin me titull: “Shumëfishohet virusi i urisë”.

Rreth 155 milionë njerëz në të gjithë botën jetojnë me pasigurinë për akses në ushqim.

Shifra shënon një rritje prej 20 milionësh krahasuar me vitin e kaluar. Rreth dy të tretat e tyre përballen me urinë pasi jetojnë në vende të përfshira në konflikte ushtarake.

“Oxfam” akuzon shtetet e pasura për indiferencë lidhur me problemin e urisë në botë. Pavarësisht pandemisë, shpenzimet globale për armatim u rritën me 51 miliardë dollarë. Shifra tejkalon me të paktën 6 herë shumën që i duhet Kombeve të Bashkuara për të frenuar urinë në botë.

Gjendja më e keqe paraqitet në Afganistan, Etiopi, Sudanin e Jugut, Siri dhe Jemen. Ndërkohë, ngrohja globale dhe pasojat ekonomike të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit kanë rritur me 40% çmimet globale të ushqimit.

Nga fillimi i pandemisë koronavirus, organizata si “Oxfam” kanë ndihmuar rreth 15 milionë persona në komunitetet më të varfëra e për pasojë, më të rrezikuara. Janë ndërmarrë veprime konkrete për të garantuar akses në ushqim e ujë të pastër, si dhe duke mbështetur fermerët e vegjël, me objektivin për të mposhtur urinë e varfërinë.