Aktualitet

Urimet për Fitër Bajram, Ambasada Amerikane: “Pavarësisht sfidave, ky vit sjelltë paqe e shëndet!”

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë përcolli sot urimet për të gjithë besimtarët myslimanë që festojnë Fitër Bajramin në Shqipëri. Në mesazhin e selisë diplomatike të Uashingtonit, theksohet:

Kjo festë shënon fundin e Ramazanit, një muaj mirënjohjeje, dhembshurie dhe bujarie nëpërmjet veprimeve të agjërimit, lutjes e bamirësisë. Këto veprime kanë një kuptim më të thellë sot, ndërsa bota është bashkuar për të dënuar dhunën e paprovokuar, brutale të Rusisë ndaj popullit të pafajshëm të Ukrainës.

Pavarësisht të gjitha sfidave me të cilat përballemi të gjithë së bashku, shpresojmë dhe urojmë që ky vit të sjellë paqe, shëndet dhe gëzim në familjet e të gjithëve!

Miliona myslimanë në mbarë botën po festojnë Fitër Bajramin, i pari pasi shumë vende hoqën kufizimet kundër koronavirusit, të vendosura dy vjet më parë. Arabia Saudite, shtëpia e vendeve më të shenjta të Islamit, deklaroi se e hëna është fillimi i festës treditore të Fitër Bajramit, një nga më të shenjtat në kalendarin islamik.

Por ka edhe vende të tjera, si Afganistani që e festuan dje Fitër Bajramin. Fillimi dhe fundi i muajve islamë përcaktohen nga Hëna e re. Gjatë dy viteve të fundit, myslimanët festuan mes shtetrrethimit dhe masave të distancimit social, të vendosura për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Sot, mijëra besimtarë u panë në Xhaminë e Madhe në qytetin e shenjtë të Mekës në Arabinë Saudite për të kryer lutjet speciale të Bajramit, që herët në mëngjes. Skena të ngjashme edhe në shumë shtete, mes tyre Egjipt, Marok e Jordani.

Zakonisht, Fitër Bajrami shënohet me tubime shoqërore, rroba të reja e biskota të mbushura me hurma ose arra, ndonëse rritja e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve ka dhënë ndikim në tryezat e besimtarëve duke zbehur disi shkëlqimin e kremtimeve. Muajin e kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se “lufta në Ukrainë po ndikon ndjeshëm në rajonin e Lindjes së Mesme e të Afrikës së Veriut, pasi çmimet më të larta të ushqimit dhe mungesat e mundshme të furnizimit, po sfidojnë përballimin e sigurimin e produkteve bazë ushqimore, të tilla si gruri.