Presidenti i vendit, Bajram Begaj postoi në rrjetin social Facebook urimin e tij për “mësuesit dhe nxënësit dhe në veçanti ata që nisin maratonën e gjatë, nxënësit e klasave të para”. “Një brez që përqafon diturinë, ndërton një botë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë”, – shkruan ndër të tjera kryetari i shtetit.
Postimi i Begajt:
Urimet më të mira dhe suksese të gjithë nxënësve e mësuesve që nisin sot vitin e ri shkollor!
Në veçanti, urime nxënësve të klasave të para që fillojnë maratonën e gjatë, sfiduese, por edhe shpërblyese të dijes.
Një brez që sot përqafon diturinë, ndërton një botë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë.
Edhe kryeministri Edi Rama uroi gjithë nxënësit, veçanërisht për ata që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës, për një vit të mbarë. Rama përcolli një urim edhe për mësuesit e prindërit e Shqipërisë.
350 mijë nxënës të arsimit parauniversitar nisin sot vitin e ri shkollor 2024-2025 në 1725 shkolla në të gjithë vendin. 28 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës ndërsa rreth 27 mijë janë të regjistruar në klasat e 10-ta.
25 shkolla të reja hapën dyert për herë të parë për të pritur nxënësit e fëmijët në vitin e ri shkollor, si dhe 216 laboratorë për të rinjtë. Nga sot, nxënësit me nevoja të veçanta do të ketë 2 mijë e 100 mësues ndihmës.
Janë 850 psikologë e punonjës social nëpër shkolla, 50 më shumë se vitin e kaluar. Po ashtu, 240 oficerë sigurie do të jenë të dedikuar për sigurinë e nxënësve në shkolla, 40 më shumë se më 2023-shin.
Më shumë se 230 mijë nxënës përfituan këtë vit librat falas. Ky vit nis edhe me rritjen e pagës për 31 mijë mësues në vlerën 950 euro.