Bota

Ursula von der Leyen: Ukraina me perspektivë të qartë europiane!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se “tashmë, Ukraina ka një perspektivë shumë të qartë europiane, pas vendimit të Bashkimit Europian, për t’i dhënë statusin e vendit kandidat”. Zyrtarja e lartë iu drejtua me një video-fjalim parlamentit ukrainas.

Tani, Ukraina ka një perspektivë shumë të qartë europiane dhe Ukraina është një vend kandidat për t’u bashkuar me Bashkimin Europian, diçka që dukej pothuajse e paimagjinueshme vetëm pesë muaj më parë.  Sot ka një arsye për të festuar këtë moment historik, një fitore e vendosmërisë dhe një fitore për të gjithë lëvizjen që filloi tetë vjet më parë në Maidan. Ju keni krijuar një sistem mbresëlënës kundër korrupsionit, por tani këto institucione kanë nevojë për shtysë dhe për njerëzit e duhur në postet e larta. Brukseli dhe shtetet anëtare të BE-së mbështesin Ukrainën në luftën kundër pushtimit rus e në përpjekjet për t’u bashkuar me familjen europiane.

Von der Leyen i bëri thirrje Parlamentit ukrainas të votojë ligjet në përputhje me normat e promovuara nga Këshilli i Europës, për të përmirësuar procedurat e përzgjedhjes të gjykatësve të pavarur të Gjykatës Kushtetuese.

Institucionet duhet të funksionojnë, në mënyrë që të përmbushin aspiratat e njerëzve.

Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE, vetëm pesë ditë pasi Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt, ndërsa 27 vendet anëtare pranuan t’i jepej statusi i kandidatit më 23 qershor, në një sinjal të fortë mbështetjeje ndaj vendit. Por, procesi i anëtarësimit mund të zgjasë shumë vite dhe kandidaturat e Turqisë e disa vendeve në Ballkanin Perëndimor kanë ngecur teksa Perëndimi këmbëngul për kritere të ashpra ekonomike e ligjore.

Von der Leyen vlerësoi Ukrainën për faktin që ka miratuar një ligj, për të luftuar kontrollin e oligarkëve në jetën ekonomike dhe politike të vendit. Javën e ardhshme, numri një i Komisionit Europian do të bashkohet me udhëheqësit ndërkombëtarë e ata ukrainas në Lugano të Zvicrës, në një konferencë për të mbledhur fonde dhe për të bërë plane për rindërtimin e pasluftës në Ukrainë.