Sport

Us Open, rrezikon të zhvillohet sërish pa praninë e tifozëve!

Edicioni i radhës i US Open në tenis rrezikon të zhvillohet sërish pa praninë e spektatorëve. Turneu i përvitshëm amerikan përfaqëson edhe Slamin përmbyllës të sezonit dhe edicioni i sivjetshëm në Flushing Meadows do të jetë i 141-të në historinë e aktivitetit më të famshëm të Shteteve të Bashkuara në këtë sport. Pavarësisht përqindjes së kënaqshme të vaksinimit në vend organizatorët përsëri i druhen përhapjes së pandemisë së Koronavirusit dhe frika për rrezikun e infektimit me virusin COVID-19 në këtë pjesë të globit vazhdon të jetë ende e lartë.

Sezonin e kaluar siç dihet Slami Amerikan ishte në dyshim për muaj e muaj të tërë, megjithatë falë këmbënguljes së gjatë organizatorët ia dolën për ta zhvilluar turneun e përvitshëm njujorkez si zakonisht në Qendrën Tenistike Kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Corona Park, por me dyer të mbyllura, pra pa praninë e spektatorëve.

I njëti skenar rrezikon të përsëritet edhe këtë herë në Kompleksin Billie Jean King të Queens-it, duke pasur parasysh rrethanat, shifrat e larta të infektimit si dhe masat paraprake që kanë marrë organizatorët për mbarëvajtjen e këtij kompeticioni. Drejtuesit më të lartë për momentin japin sinjalin e parë se kjo mund të jetë një histori që do të përsëritet edhe në vitin 2021, teksa vendosën që sfidat kualifikuese në raundet paraeliminatore të luhen pa praninë e spektatorëve.

Një vendim i tillë natyrisht është marë për të mos përkeqësuar situatën dhe për t’u kujdesur për sigurinë dhe shëndetin e të gjithëve. Akoma nuk është përcaktuar asgjë në lidhje me ndeshjet e rëndësishme kur të startojnë në të vërtetë edhe ndeshjet e shortit kryesor, ku marrin pjesë 128 lojtarë, si te meshkujt ashtu edhe te femrat, sidoqoftë idea është për të provuar në fillim me një numër të reduktuar spektatorësh.

Për hir të së vërtetës ndeshjet kualifikuese kanë një rrezikshmëri më të madhe, duke pasur parasysh faktin që në këto takime përfshihet një numër shumë i lartë sportistësh. Këto takime fillojnë një javë më herët, pra më datën 24 gusht dhe duke marrë në konsideratë lojtarët, trajnerët dhe pjestarët e tjerë të stafeve të tyre, drejtuesit e këtij turneu parashikojnjë një numër prej 2.500 personash në total, të përfshirë gjatë fazës kualifikuese.

Krerët e këtij aktiviteti deklaruan se ky ishte një vendim shumë i vështirë për t’u marë, sidomos nga drejtuesit e Federatës së Tenisit të Shteteve të Bashkuara, për shkak të popullaritetit që ka anembanë globit turneu i US Open. Në fund gjithçka u vendos pas këshillimit me autoritetet shëndetësore vendore si dhe stafin mjekësor në Flushing Meadows dhe kjo duket vërtet si zgjidhja më e mirë për momentin.

Për shkak të masave shtrënguese dhe protokolleve të përcaktuara që më herët kapaciteti i përgjithshëm i spektatorëve në zonën e brendshme të Kompleksit Billie Jean King është reduktuar dhe një pjesë e mirë e këtyre ambienteve është përshtatur në anën e jashtme, pikërisht për t’u ardhur në ndihmë në mënyrën më të mirë të mundshme vetë lojtarëve dhe gjithë personave të interesuar.

Sezonin e kaluar triumfuan austriaku Dominic Thiem te meshkujt si dhe tenistja japoneze Naomi Osaka te femrat. Këtë herë edicioni i sivjetshëm nis më 30 gusht dhe gjithçka do të përfundojë më datën 12 shtator. Nuk dihet akoma se cfarë do të bëjë veterani zviceran Roger Federer, gjithsesi është e qartë që dy rivalët e vjetër Novak Djokovic dhe Rafael Nadal do të bëjnë çmos për të qenë të pranishëm, për të kërkuar kështu trofeun e 21 Slam në karrierë.

Siç dihet, Roger Federer, Rafael Nadal dhe Novak Djokovic munguan në Mastersin Kanadez në Toronto dhe nuk do të jenë gjithashtu as në Mastersin e Cincinnatit, që starton më datën 16 gusht, në Ohio. Deri tani janë konfirmuar si mungesa në US Open vetëm zvicerani Stan Wawrinka te meshkujt dhe holandezja Kiki Bertens në kategorinë e femrave.