Bota Food & Drink

Ushqim nga hapësira, mbillen bimë në dheun e Hënës!

Studiuesit e Universitetit të Floridës në Amerikë thonë se kanë mbjellë bimë në dheun e marrë nga Hëna duke zbuluar atë që një prej tyre e quan “bazën e ëndërrave eksploruese”. Hera e parë që shkencëtarët tregojnë se “jeta mund të krijohet nga regolith-i, materiali i marrë nga sipërfaqja e Hënës”.

Ata thonë se zbulimi i publikuar në revistën “Communications Biology” mund të ketë ndikim në eksplorimet e ardhshme në Hënë. Rob Ferl, një nga bashkëautorët e studimit, thotë se “zbulimi i tyre mund të ndihmojë astronautët që ndodhen me mision në Hënë, të nxjerrin ushqimin e tyre dhe të reduktojnë nevojën për furnizime të shpeshta nga Toka”.

Krahas përmirësimit të nivelit të sigurimit të ushqimit në hapësirë, studimi sjell përfitime të tjera. Ai mund të ndihmojë astronautët të pastrojnë ajrin, të mënjanojnë dioksidin e karbonit nga atmosfera e të prodhojnë ujë të pastër.

Në dheun e Hënës, studiuesit mbollën fara Arabidopsis, (një lloj bari guri) të marrë rreth 50 vjet më parë, gjatë tre misioneve të veçanta Apollo në Hënë: Apollo 11 dhe 12 në vitin 1969 e Apollo 17 në vitin 1972.

Ata e ndanë dheun në pjesë një gramëshe dhe e hodhën në enë. Aty shtuan ujë, dritë e ushqim për bimët. Po ashtu, një tjetër pjesë fare e mbollën në hi vullkanik, substancë e ngjashme me dheun hënor, që të shërbente për kontroll. Në më pak se 48 orë, shkencëtarët panë mbirje të bimëve në të dy grupet, por disa ditë më vonë, vunë re se bimët në dheun e Hënës ishin të stresuara. Bimët në regolith dukeshin “të mpira” krahasuar me ato në hirin vullkanik.

Por, Ferl thotë se “fakti që bimët ishin në gjendje të mbinin në përgjithësi është një zbulim pozitiv”.

E rëndësishme është se para se të bëhej ky eksperiment, askush nuk e dinte nëse bimët, sidomos ato me rrënjë do ishin në gjendje të ndërvepronin me dheun shumë djegës, shumë antagonist siç është regolithi hënor.

Ekspertimenti në vetvete ishte i lehtë, por gjetja e materialit të nevojshëm për të bërë eksperimentin ishte e vështirë. Ekzistonte vetëm një sasi e vogël dheu hënor për të bërë eksperimentin, 12 gram gjithsej, sa një lugë gjelle dhe duhej bërë kërkesa disa herë gjatë një dekade rresht, për ta marrë nga Agjencia Amerikane e Hapësirës, NASA.

Zbulimi është me rëndësi kur kihet parasysh se NASA dhe Agjencia Europiane e Hapësirës shpresojnë të rikthejnë njeriun në Hënë me programin e tyre, Artemis.

Por, shkencëtarët ende nuk e dinë si do të reagojnë bimët e Tokës në mjedisin hënor, real, të pasimuluar. Hëna është shumë e thatë në krahasim me Tokën dhe kjo mund të ndryshojë aftësinë e bimëve për të mbirë.