Bota

Ushtria japoneze në gjendje gatishmërie për shkak të Koresë së Veriut!

Japonia ka urdhëruar ushtrinë e vendit aziatik që të përgatitet të rrëzojë raketa balistike të hedhura nga Koreja e Veriut. Kjo pasi më herët gjatë kësaj jave, shteti komunist bëri të ditur se është gati që të lëshojë satelitin e parë ushtarak të spiunazhit.

Si rregull, dërgimi i satelitit në orbitë do të kërkonte një raketë me rreze të gjatë e që Koresë së Veriut i ndalohet ta lëshojë për shkak se të tilla veprime, Organizata e Kombeve të Bashkuara i cilëson si “teste të raketave balistike” dhe i sanksionon.

Në një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes në Tokio theksoi:

Ditën e sotme, ministri i Mbrojtjes, Yasukazu Hamada u tha Forcave Ushtarake për Vetëmbrojtjen se ka një mundësi për urdhërimin e masave shkatërruese ndaj raketave balistike.  Hamada udhëzoi ushtarët që të zbatojnë masat e nevojshme për të kufizuar dëmet në rast se ndonjë raketë balistike do të bjerë në territorin e Japonisë.

Po ashtu, ministri japonez i Mbrojtjes urdhëroi përgatitjet për dislokimin e sistemeve SM-3 që janë për pengimin e raketave, por edhe të njësive ushtarake në Okinava që mund të përdorin raketat Patriot PAC-3.

Kujtojmë se në vitet 2012 e 2016, Koreja e Veriut ka testuar raketa balistike e që sipas Phenianit ishin lëshime të satelitëve. Që të dyja raketat kishin fluturuar mbi rajonin e Okinavës. Mediat japoneze raportojnë se edhe në vitin 2012, Ministria e Mbrojtjes ka bërë përgatitje të ngjashme për t’u mbrojtur nga Koreja komuniste. Koreja e Veriut nuk ka treguar se kur synon t’i hedhë këto raketa.

Ministrat e Punëve të Jashtme të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara, i njohur si G7-a u takuan gjatë kësaj jave dhe nga Koreja e Veriut kërkuan që të heqë dorë nga lëshimet e mëtejshme të raketave balistike, pasi gjatë këtij viti Pheniani ka intensifikuar testimet e raketave duke u kthyer në burim shqetësimi.