Celebrities Live From Tirana

“Vajza më thotë që ti je nëna më ‘cool'”, Diola Dosti na tregon marrëdhënien e saj me vajzat!

Sot, në emisionin “Live from Tirana” nëpërmjet një lidhjeje telefonike, ishte e ftuar nutricionistja dhe dietologia e njohur Diola Dosti për të na folur lidhur me temën e ditës së sotme, prindërimin. Diola është nënë e tre vajzave. Por si ja del ajo të jetë një nënë por të bëjë edhe një sërë aktivitetesh të tjera?

Prindërimi nuk është i lehtë, por si për ato nëna që i shohim në televizion dhe që janë nëna shembull edhe për ato nëna që i përkushtohen 100% fëmijëve, 24-orëshin e kanë njësoj dhe mendoj që është çështje zgjedhjeje. Mund të jesh nënë në karrierë dhe një nënë e mirë. Mendoj që zhvendosja në Kosovë më ka bërë të kuptoj shumë gjëra, më ka bërë të kuptoj që duhet të menaxhojmë kohën, me disa njerëz që nuk i kemi domosdo për të dalë, kam filluar ti reduktoj daljet. Kur vijnë gocat nga shkolla dhe thonë: “Ua mami qenke në shtëpi”, nuk ka gjë më të mirë. Nëpërmjet laptopit, ne mund të bëjmë shumë punë madje dhe takime biznesi dhe mund të gjejmë kohë t’i bëjmë të dyja. Mundohem që shumicën e takimeve t’i kaloj online sepse është një lehtësi e madhe për mua.

Por sa kohë shpenzon Diola me vajzat e saj?

Nëse më duhet të tregoj ditën time, mund të ndodhë që 1 ose 2 herë në javë dal në 8 të mëngjesit dhe kthehem në 8 të darkës. Më ndodh shumë rrallë, kurse ditët e tjera në momentin që gocat vijnë në shtëpi më gjejnë aty. Në 3:30-4:00 jam në shtëpi.

Prindërimi ka dhe sfidat e veta. Çfarë i ka mësuar prindërimi nutricionistes?

Kam lexuar shumë libra për prindërimin dhe asnjë prej tyre nuk ma ka dhënë çelësin e suksesit, por secili prej tyre më ka dhënë nga një mesazh shumë të bukur. Të gjitha gjërat që nuk i kam marrë nga mami u jap gocave të mia. Mami ishte gjithe kohës e angazhuar me punë , babi ishte emigrant dhe isha një vajzë e madhe e vetme që duhet t’i bëja të gjitha gjërat dhe mbase nuk e kam marrë komplet atë dashurinë që përpiqem t’i jap gocave sot. Patjetër që dhe ajo mugesë më ka bërë një njeri të mirë, çdo gjë ndodh për një arsye dhe jam shumë e lumtur për çfarë më kanë dhënë prindërit. Vajza më thotë që: “Ti je nëna më ‘cool’ që më kupton, sepse shoqet e mia kalojnë ankth sepse nuk i kuptojnë nënat e tyre”. Përshembull, për pëlqimet e para. Dhe përpiqem të jem një shoqe për të. Më vjen keq kur tregojnë histori të tilla.

Diola është shprehur në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel se nuk dëshiron që vajzat e saj të shohin formate të tilla si “Big Brother” sepse mund të ketë skena të papërshtatshme. Ja se çfarë ka për të thënë ajo:

Përsa i përket pjesës së televizorit, kam shumë vite që nuk shikoj televizor. Perpiqem ta shmang për shumë arsye. Unë e njoh Arjolën personalisht, e di çfarë nëne është, po nga ana tjetër përpiqem ta shmang. Është një botë që vajza ime dua ta kuptojë vetë jo t’ja thotë dikush tjetër. Kjo është një punë shumëvjeçare që kam bërë me vajzat por unë jam edhe e çmendur për librat dhe ua kam injektuar dhe vajzave dhe nuk është e lehtë. Çdo familje ka ideologjinë dhe konceptin e vet por nuk do të thotë që ne jemi perfektë, edhe ne kemi gabimet tona. Përpiqem sipas gjërave të mia ose që mendoj unë t’ju tregoj rrugën e drejtë. Në fund të fundit ato do zgjedhin dhe kush jam unë që t’i gjykoj.

Lidhur me gatimin Diola shprehet se:

Pjesën e gatimit ia kam lënë vajzave të mia. Vajza ime e madhe ka gatuar që 7 vjeçe kështu që unë vij e gjej drekën gati nga ato. Mendoj që duhet të ruajmë një lloj harmonie. 1 herë në javë është dita që mund të blemë çokollata, të porosisim ndonjë picë ose byrekë. Mjafton që 95% është një regjim i shëndetshëm.