Bota

Vaksina anti-COVID është me detyrim vetëm në 4 vende të botës!

Deri tani, vetëm 4 vende në botë kanë vendosur detyrimin për vaksinën anti-COVID: shteti ishullor Mikronezia, si dhe Turkmenistani, Taxhikistani e Indonezia. Madje kjo e fundit e dha urdhërin që në muajin shkurt kur ende nuk kishte nisur fushata e vaksinimit. Kush refuzon gjobitet deri në 400 euro.

Me objektivin për të minimizuar infektimet nga koronavirusi, për Mikronezinë, Turkmenistanin e Taxhikistanin, detyrimi për vaksinat hyri në fuqi në korrik.

Në një tjetër vend, Kazakistan, që në qershor u vendos detyrimi i vaksinimit për të paktën 60% të punonjësve në sektorë si shëndetësia e arsimi, si dhe për aktivitetet zbavitëse. Në korrik, masa u zgjerua për kazakët duke përfshirë edhe transportin e bankat.

Sa i përket Europës, deri tani asnjë vend nuk ka zgjedhur t’iu imponojë qytetarëve një detyrim të tillë. Por Italia u bë shteti i parë që vendosi detyrimin e punonjësve shëndetësorë për t’u vaksinuar.

Më pas, në të njëjtën linjë veproi Franca, që zgjodhi masa më shtrënguese, me prezantimin e Green Pass-it.

Deri në fund të muajit, Greqia vendosi vaksinimin e detyrueshëm anti-COVID për personelin shëndetësor ndërsa nga tetori, punonjësit e azileve në Mbretërinë e Bashkuar, i pret vaksina me detyrim ashtu si në Australi.

Në të tjera vende të botës, vaksinimi kundër koronavirusit përbën detyrim për disa kategori.

Në Shqipëri, Komiteti Teknik i Ekspertëve e vendosi për personelin shëndetësor, arsimtarët e studentët.

Nga muaji i ardhshëm, në Nju Jork duhet të vaksinohen punonjësit shëndetësorë që janë në kontakt me njerëzit.

Arabia Saudite e bën të detyrueshëm vaksinimin për punonjësit e sektorëve publik e privat që do të vendosin të jenë të pranishëm.