Sociale

Vaksina ndaj kancerit të qafës së mitrës, së shpejti falas për vajzat në paraadoleshencë

Vaksina që parandalon kancerin e qafës së mitrës do të jetë shumë shpejt falas për të gjitha vajzat në moshën e paraadoleshencës. Duke filluar nga 2023, vaksina kundër human papilomavirusit do të përfshihet në kalendarin kombëtar të vaksinimit.

Ministrja e Shëndetësisë foli për efikasitetin e lartë të kësaj vaksine.

“Përfshirja e vaksinës HPV tek vajzat do të na japë një garanci rreth 99 % që do të kemi një reduktim të riskut ndaj kancerit të qafës së mitrës. Studimet kanë treguar që edhe efektiviteti vetëm me një dozë e vaksinës kundër human papilomavirusit redukton deri në 89% rrezikshmërinë ndaj kancerit të qafës së mitrës.

Sot ka familje që e blejnë këtë vaksinë, nga 2023 ky do të jetë një investim i qeverisë shqiptare, i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për mbrojtjen dhe shëndetin e vajzave dhe grave në Shqipëri”, tha Manastirliu.

Silva Bino, shefja për sëmundjet infektive ne ISHP tha se aplikimi i kësaj vaksinë të mbron nga viruset që janë shkaktarët kryesorë të kancerit të qafës së mitrës.

“Është vaksinë tepër e rëndësishme, e cila parandalon infektimin nga ky virus. Duke kryer këtë vaksinë vajzat të cilat janë të vaksinuara nuk mund të infektohen me ato viruse që janë shkaktarët kryesorë të kancerit të qafës së mitrës. Është një vaksinë e sigurt për të cilën janë kryer një sërë studimesh dhe vlerësimesh, e aplikuar në të gjitha vendet e BE dhe shumë vende të tjera të globit”, tha Bino.

Pas kancerit të gjirit, ai i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i zakonshëm tek gratë. Edhe pse është i parandalueshëm ai mbetet shkak i rëndësishëm i vdekjes nga kanceri tek gratë. Në Shqipëri raportohen mbi 100 raste të reja çdo vit.