Bota Health & Beauty

Vaksina Pfizer për variantet Omicron e lidhur me rrezikun e ishemisë/Autoritetet amerikane po hetojnë!

Pfizer dhe BioNTech përditësuan vaksinën e tyre kundër COVID-it, por jo çdo gjë po shkon sipas parashikimeve. Referuar të dhënave paraprake të analizuara nga autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të monitorimit të sigurisë, vaksina e përditësuar e prodhuesit amerikan dhe kompanisë partnere gjermane mund të lidhet me rrezikun e goditjes në tru te të moshuarit.

Qendrat për Kontrollin e Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Administrata e Ushqimit dhe e Barnave (FDA) njoftuan se për moshat nga 65-vjeç, rreziku i goditjes ishemike ishte më i lartë 21 ditë pas bërjes së vaksinës bivalente që mbron nga variantet e reja Omicron, krahasuar me periudhën që përkon me ditën e 22-të deri të 44-rt.

Një goditje ishemike, e njohur si ishemia e trurit shkaktohet nga bllokimet në arteriet që çojnë gjakun në tru. FDA dhe CDC thanë se studimet e kryera deri tani nga palët e përfshira, nuk e kishin shënuar këtë çështje sigurie, duke shtuar se tashmë kjo kërkon më shumë hetime. Në një deklaratë, autoritetet shëndetësore theksuan:

Edhe pse aktualisht, tërësia e të dhënave sugjeron se ka shumë pak gjasa që sinjali në VSD (Vaccine Safety Datalink) të përfaqësojë një rrezik të vërtetë klinik, ne besojmë se është e rëndësishme të ndajmë këtë informacion me publikun.

Edhe Pfizer&BioNTech dolën me një deklaratë ku bënin të ditur se janë vënë në dijeni mbi rastet e kufizuara të goditjeve ishemike te njerëzit nga 65-vjeç, pas vaksinimit me vaksinën bivalente.

Pfizer&BioNTech dhe as CDC apo FDA nuk kanë konstatuar rezultate të ngjashme në shumë sisteme të tjera monitorimi në SHBA e globalisht. Nuk ka asnjë provë për të konkluduar se goditja ishemike është e lidhur me përdorimin e vaksinave të përditësuara kundër COVID-19/ës.

Por, ky shqetësim sigurie nuk identifikohet në vaksinën bivalente të Moderna-s (MRNA.O) dhe CDC e FDA vazhdojnë të rekomandojnë që të gjithë personat, duke filluar nga mosha 6 muaj, të qëndrojnë të përditësuar me vaksinimin anti-COVID.