Bota

Vaksinë anti-COVID si spërkatës hundësh, vijon puna!

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në të paktën nëntë laboratorë dhe kompani në mbarë botën po punohet për të prodhuar një vaksinë kundër COVID-19 në formën e një spërkatësi në hundë. Krahas faktit që nuk shkaktojnë shqetësimin e gjilpërës në krah, këto vaksina mund të jenë edhe më të efektshme se injeksioni pasi mund ta ndalin koronavirusin që në momentet kur fillon të hyjë në trup. Duke e ndaluar virusin të shumohet në hundë e në grykë, vaksinat nazale mund të jenë më të efektshme edhe për të parandaluar përhapjen nga një person tek tjetri. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për variantin Omicron.

Shumica e këtyre vaksinave janë në fazën e hershme apo të mesme të testimit dhe nuk është e qartë se kur do të jenë të disponueshme. Njëra prej vaksinave është përjashtuar tashmë nga procesi i testimit.

Pika e dobët

Ndërsa vaksinat aktuale kundër COVID-19 kanë arritur shumë mirë të përgatisin pjesën më të madhe të sistemit tonë imunitar, ato kanë një pikë të dobët kryesore: hunda, gryka dhe membranat e mukozës, ku trupi bie në kontakt me botën e jashtme. Membranat e mukozës kanë antitrupa të ndryshëm nga antitrupat që qarkullojnë në gjak. Vaksinat nëpërmjet injeksionit në krah arrijnë vetëm tek gjaku. Ato nuk bëjnë shumë për të stimuluar prodhimin e antitrupave në mukozë.

Vaksinat e spërkatura në hundë synojnë ta luftojnë virusin që në pikën e parë të kontaktit. Fakti që vaksinat e injektuara nuk prodhojnë shumë imunitet në mukozë mund të shpjegojë përse ka ndodhur infektimi me variantin Omicron i të vaksinuarve, megjithëse jo me pasoja serioze.

Ndalimi i përhapjes

Për sa kohë që hundët dhe gryka mbartin virusin, ne mund ta përhapim atë lehtësisht, megjithëse mund të mos e dimë se jemi të infektuar. Ky është një problem i madh me COVID-19. Një vaksinë efikase në rrugë nazale mund të ndihmojë për ta zgjidhur këtë problem. Disa i shohin vaksinat nazale si një mënyrë premtuese për të administruar dozat përforcuese.

Kjo pasi gjysma e popullsisë së botës është tashmë e vaksinuar, por ka nevojë për doza shtesë për t’u përballur me variantet që shfaqen. Gjithashtu është më e vështirë në këtë pikë ku ka arritur pandemia që të gjenden persona që nuk janë vaksinuar ende apo që nuk janë infektuar ende, dhe që dëshirojnë të ndihmojnë për të testuar një vaksinë të re.