Aktualitet

Vaksinim anti-COVID me detyrim për punonjësit e Bashkisë Pukë!

Bashkia e Pukës bëhet institucioni i parë në vend që vendos kusht për administratën: vaksinë anti-COVID ose tampon. Kryebashkiaku Gjon Gjonaj vendosi që vartësit të paraqesin kartelën e vaksinimit. Gjonaj thotë se kush nuk vaksinohet, çdo javë duhet të sjellë rezultatet e tamponit.  Gjithashtu Bashkia e drejtuar prej tij mori vendim për rikthimin e dezinfektimeve masive në Pukë dhe institucionet në qytetin verior. Arsyeja lidhet me rritjen e numrit të rasteve të infektimeve në ditët e fundit.

E gjithë administrata duhet të vaksinohet dhe e dyta, pa pasur parasysh dëshirën apo jo dëshirën, kemi vendosur se ata që nuk vaksinohen e kanë për detyrë që të vijnë me një fletë që të vërtetojnë se kanë bërë tampon. Në këto kushte do i rikthehemi një pune shumë të madhe të sektorit të shërbimeve për dezinfektimin e ambienteve.

Tamponi është më i kushtueshëm dhe i bezdisshëm, por do të jetë ligj, në përputhje me vendimet e Komitetit Teknik. Apeli im për qytetarët është që të mendojmë më thellë për qëndrimin tonë ndaj vetes e shoqërisë, nuk duhet të veprojmë në kundërshtim me këto norma, ne duhet të nxjerrim mësime se patëm kohë për të mësuar që luftohet, jo me fushata, por me masa konkrete.

E rëndësishme të mos na mungojnë vaksinat, për çka qeveria ka marrë masat. Të jemi në krye të kësaj detyre, mundësitë e vaksinimit janë për të gjithë.

Deri tani, me vendim të Komitetit Teknik të Ekspertëve, detyrimi për vaksinim përfshin bluzat e bardha, arsimtarët e studentët.