Bota

Vala e dytë e koronavirusit, dyfishohen rastet e reja e të infektuarve në botë

Në Europën e goditur nga vala e dytë e koronavirusit, rastet e reja janë dyfishuar në 10 ditët e fundit. Për herë të parë, në 24 orët e fundit u përllogaritën 200 mijë të infektuar në vendet e kontinentit të vjetër.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Europë raporton për 5 milionë e 300 mijë të prekur e 205 mijë viktima nga COVID-19.  Çekia si shteti më i goditur, miratoi planin për pranimin e 300 mjekëve ushtarakë nga vendet e NATO-s e të Bashkimit Europian, për ta ndihmuar në përballimin e fluksit të pacientëve.

Masat e reja çeke, të cilat hynë në fuqi të enjten në mëngjes, përfshijnë kufizime në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mbylljen e shërbimeve dhe dyqaneve që nuk kanë funksion thelbësor. Masat do të jenë në fuqi deri më 3 nëntor.

Kombi prej 10 milionë qytetarësh po raporton tani më shumë raste të reja Covid-19 për 100,000 njerëz sesa çdo vend i madh në botë. Ndërkaq, në Belgjikë e vende të tjera, spitalet shtynë operacionet jo-urgjente.