Aktualitet Rajoni

Varhelyi: Nga plani i investimeve të BE-së në Ballkan, përfitohet me bashkëpunim rajonal!

Udhërrëfyes shtesë mbi liberalizimin e vizave për Kosovën paralajmëroi komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, në debatin e zhvilluar në Parlamentin Europian. Temë diskutimi ishte zgjerimi i Bllokut pas agresionit rus në Ukrainë. Përveç eurodeputetëve, morën pjesë edhe ligjvënës nga parlamentet kombëtare të shumë shteteve anëtare të BE-së, si edhe të vendeve kandidate e të kandidatëve potencialë.

Në këto kohëra të vështira e në kontekstin e ndryshimeve gjeopolitike, prioriteti ynë mbetet Ballkani Perëndimor. Jemi të gatshëm të ndihmojmë Kosovën që me shtetet anëtare, të vendosim një udhërrëfyes për adresimin e shqetësimeve specifike. Autoritetet në vendet anëtare, agjencitë e rendit e ligjit, forcat e policisë, kanë nevojë të angazhohen në terren për të ndihmuar Kosovën. Jemi të gatshëm t’i japim gjithë ndihmën financiare, teknike e politike në këtë proces.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim të vizave me BE-në. Qeveria thotë se ka plotësuar çdo kriter nga 95 gjithsej, sa i ka vendosur Unioni në udhërrëfyesin për liberalizimin. Por, procesi pengohet vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, që shpreh rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve. Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, Varhelyi tha se të dyja vendet duhet të dëshmojnë përkushtim të qartë në kryerjen e detyrave.

Po shohim se Serbia është në pozitë të vështirë në rrethanat dhe sfidat ekzistuese gjeopolitike. Duhet ta pranojmë këtë. Çështja e sanksioneve kundër Rusisë është vetëm një prej simptomave të problemeve. Ne jemi krejtësisht të gatshëm ta mbështesim Serbinë në përshtatjen e mëtejshme me politikën e BE-së, lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë. Por, kemi nevojë që edhe Serbia të marrë detyrime të reja.

Serbia, aleate e Rusisë, është vendi i vetëm në Ballkan që nuk iu bashkohet sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës. Varhelyi u bëri thirrje vendeve të rajonit, ta rrisin bashkëpunimin mes tyre, “nëse duan të përfitojnë nga plani për investime dhe ekonomi i Bashkimit Europian”.
Pa bashkëpunimin e duhur rajonal, qoftë përmes Procesit të Berlinit, tregut të përbashkët rajonal apo iniciativës Ballkani i Hapur, vendet e rajonit thjesht nuk mund të gëzojnë përfitimet e planit të investimeve në Ballkan.

Duke folur për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, Varhelyi tha se, brenda ditësh do të mund të zhvillohet konferenca ndërqeveritare e BE-së me këto dy vende. Sipas tij, “të gjitha pengesat janë hequr”, referuar votimit në Parlamentin e Bullgarisë për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut.