Aktualitet Bota

Varianti afrikan/ BE thirrje vendeve europiane: Ndaloni udhëtimet në shtetet që kanë konfirmuar mutacionin!

Komisioni Europian ka propozuar që vendet anëtare të ndërpresin udhëtimet me vendet në të cilat është identifikuar varianti afrikan B.1.1.592 i SARS-COV-2.

Në një komunikim zyrtar KE sqaron se rekomandimi nuk është detyrues, për shkak se vendimet për kufizimet e udhëtimit merren në nivel kombëtar nga 27 shtetet anëtare të BE.

“Ne duam të diskutojmë vendosjen e masave sa më shpejt të jetë e mundur”, është shprehur më tej zëdhënësi i Komisionit.

Mbretëria e Bashkuar menjëherë ndaloi udhëtimet në 6 shtete afrikane, megjithatë frika është se virusi do të vazhdojë përhapjen. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se është duke e monitoruar këtë variant dhe për këtë arsye do të mbajë një takim urgjent për të diskutuar se çfarë nënkupton kjo situatë për pandeminë dhe vaksinat.

“Jemi të shqetësuar për shkak të mutacioneve dhe ndikimit që mund të ketë ai”, deklaroi zyrtarja e saj, Maria Van Kerkhove, zyrtare e OBSH-së.

Varianti i quajtur për momentin B.1.1.529, ka mundësi që të marrë emër grek – si variantet Alfa dhe Delta – nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. OBSH thotë sakaq se është shumë vonë për të parandaluar një valë të re të sëmundjes në Europë.

Parashikimet e zymta të saj janë që deri në mars, 700 mijë vetë të humbin jetën në kontinentin e vjetër. Më shumë se 1.5 milionë jete njerëzish ka marrë deri ani koronavirusi në Europë, e sipas OBSH-së, gjatë muauve të dimrit, kjo shifër mund të shkojë në 2.2 milionë teksa terapitë intensive nëpër spitale do të mbushen plot në të paktën 49 shtete të rajonit.