Aktualitet

Varianti Delta i koronavirusit mbërrin në Shqipëri?

Instituti i Shëndetit Publik nuk ka konfirmuar mbërritjen e variantit Delta të koronavirusit në Shqipëri. Por nga burime të Top Channel mësohet se janë disa raste, me gjasa të infektuar nga Delta, të personave që sapo kanë mbërritur në territorin shqiptar nga Britania e Madhe.

Para se të vinte për pushime në vendin tonë, një shtetas u testua në Britani, për shkak se kishte simptoma të dyshimta. Një ditë pasi mbërriti në Shqipëri, i erdhi përgjigja nga laboratori britanik se rezulton pozitiv me mutacionin Delta të koronavirusit.

Ky është një rast por të tilla mund të ketë edhe më shumë. Instituti i Shëndetit Publik u vu në dijeni e po monitoron kontakte të afërta me të infektuarin. Ndërkohë, në vende të tjera të rajonit, Kosovë e Maqedoninë e Veriut është konfirmuar prania e Deltas.

Versioni i shfaqur fillimisht në Indi shkakton shqetësim për transmetueshmërinë e lartë e po shndërrohet në arsye të fortë që shumë vende sidomos në Europë, të bëjnë hapa pas e të rikthejnë disa kufizime anti-COVID, mes tyre Spanja, Holanda, Franca e Italia. Shpresat janë te vaksinat kundër koronavirusit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndoqi sot nga afër procesin e vaksinimit anti-COVID me njësitë e lëvizshme në zonën e Shkozës, në periferi të Tiranës. Manastirliu bëri të ditur se në muajt korrik-gusht do të mbërrijnë rreth 500 mijë doza të tjera vaksinash, mbi 18 mijë prej tyre sot dhe janë Pfizer.

Ndërsa vijojmë dhe presim furnizimin e vazhdueshëm me vaksina, sot vijnë edhe 18.720 doza të vaksinave Pfizer e përgjatë këtyre muajve, korrik-gusht do të kemi një furnizim të bollshëm, rreth 500 mijë doza, për të siguruar qëndrueshmëri në programin tonë të vaksinimit!

Ministrja Manastirliu bëri të ditur se ditët e hapura të vaksinimit do të vijojnë përgjatë korrikut dhe gushtit, për qytetarët mbi 18-vjeç.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, prof. Albana Fico u shpreh se është shumë e rëndësishme që qytetarët t’i kryejnë të dy dozat e vaksinës, për të siguruar efektivitetin e nevojshëm për t’u mbrojtur nga COVID-19.

Nga fillimi i procesit të vaksinimit janë kryer 1.022.802 doza të vaksinës kundër COVID-it. 434.926 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat.