Sport

Varianti Delta, Italia pengon tifozët britanikë para ndeshjes Ukrainë-Angli!

Pritet të luhet pa praninë e shumë tifozëve britanikë, ndeshja e 3 korrikut Ukrainë-Angli, në Stadiumin “Olimpico” të Romës.

Në kuadër të masave anti-COVID dhe për të frenuar mundësinë e përhapjes së variantit shqetësues Delta, autoritetet italiane e kanë bërë të qartë se çdo person që udhëton nga Britania e Madhe duhet t’i nënshtrohet karantinës 5-ditore nëse hyn në Itali.

Për të siguruar kalimin në gjysmëfinale, Anglia spostohet në Romë, pa tifozët e shumtë të zjarrtë që e mbështetën në katër ndeshjet e para në Stadiumin Wembley të Londrës e që dje luajtën rol kryesor duke i dhënë zemër ekipit në fitoren historike kundër gjermanëve.

Në rast se i hyjmë llogarive, edhe nëse tifozët nisen sot për në Itali, karantinën e përfundojnë më 4 korrik, një ditë pas përballjes me Ukrainën. Këtu bëjnë përjashtim ata që ndodhen në vendin fqinj prej disa ditësh.

Ashtu si në tre takimet e mëparshme, në Olimpico pranohen 16 mijë spektatorë. 68% e biletave u shitën para se të mësoheshin emrat e rivalëve dhe pjesa tjetër prej 32% po shitet tani që dolën emrat e skuadrave, të cilat vazhdojnë garën në Euro 2020. Në Mbretërinë e Bashkuar mund të mbeten të pashitura nga pamundësia për të respektuar karantinën në Itali. Por mbetet opsioni që të blihen nga anglezë që jetojnë në Itali.

Zyrtarët italianë janë angazhuar maksimalisht që kontrollet të jenë të rrepta dhe në mënyrë të veçantë i druhen variantit Delta të koronavirusit. Edhe Londra zyrtare iu bëri thirrje tifozëve britanikë të shmangin Romën për shkak të karantinës.