Bota

Varianti i ri “Mu” i koronavirusit, shqetësim për rezistencën ndaj vaksinave!

Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH po monitoron një variant të ri të koronavirusit i njohur si “Mu”, i identifikuar për herë të parë në Kolumbi, në janar.
Me emrin shkencor B.1.621 u klasifikua si “variant me interes studimi”.

OBSH-ja sqaron se duhen më shumë studime për të ditur më tepër, por sipas zyrtarëve shëndetësorë, “shfaq mutacione që tregojnë për rrezik të rezistencës ndaj vaksinave”.

Në gjithë globin ka një shqetësim për shfaqjen e varianteve të reja të koronavirusit pasi numri i të infektuarve po shënon rritje për shkak të variantit shumë më ngjitës Delta.

Numri i të infektuarve po shtohet në mesin e të pavaksinuarve dhe në rajonet ku masat kundër pandemisë janë lehtësuar.

Të gjitha viruset, përfshirë SARS-CoV-2 që shkakton COVID-19, ndryshojnë me kalimin e kohës.

Por, disa mutacione mund të ndikojnë në vetitë e një virusi e ta bëjnë përhapjen e tij më të lehtë, pastaj të shkaktojnë dhe rezistencën e tij ndaj vaksinave e ilaçeve. Aktualisht, OBSH-ja ka identifikuar katër variante shqetësuese të COVID-19, përfshirë Alpha-n, i pranishëm në 193 vende dhe Delta, i përhapur në 170 shtete, mes tyre Shqipëria.

Pesë variante të tjera, mes tyre “Mu”, duhet të monitorohen. Pasi u zbulua në Kolumbi, u konfirmua edhe në disa vende të Europës e Amerikës së Jugut.