Aktualitet Bota

Varianti Omicron, EMA: Nëse është e nevojshme, vaksina e re miratohet brenda 3 muajsh!

Rregullatori i ilaçeve në Evropë (EMA) tha sot se mund të miratojë një vaksinë për të luftuar variantin e ri të COVID-19, Omicron brenda tre-katër muajsh nëse do të jetë e nevojshme.

Drejtoresha e përgjithshme e kësaj agjencie, Emer Cooke, duke folur për Parlamentin Evropian, tha se deri tani vaksinat kanë qenë në gjendje të përballen me të gjitha variantet që kanë hasur.

“Unë do t’ju siguroj se po punojmë me kompanitë dhe me rregullatorë të tjerë për tu thënë që ne jemi sa më të përgatitur për të përshtatur vaksinat me mutacionin e ri. Nëse do të kishte nevojë për të ndryshuar vaksinat ekzistuese, ne mund të ishim në gjendje t’i miratonim ato brenda tre-katër muajsh”, tha ajo.

EMA, sqaroi në një deklaratë të veçantë se rishikimi do të fillojë atëherë kur prodhuesit e ilaçeve do të vendosin për të ndryshuar vaksinën dhe të fillojnë punën për realizimin e saj.

“Ne po presim të marrim të dhëna që do të zvogëlonin kohën e vlerësimit”, tha EMA.

Drejtori i Përgjithshëm i Moderna kishte deklaruar më herët se vaksinat e ekzistuese nuk ishin aq efektive kundër variantit të ri Omicron, i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut, ashtu siç kanë qenë kundër variantit Delta.

Bashkimi Evropian dhe shumë vende të tjera, duke përfshirë edhe Rusinë kanë ndaluar udhëtimet nga disa vende afrikane.

Të paktën 44 persona kanë rezultuar të infektuar me llojin e ri të koronavirusit, Omicron. Ata janë identifikuar në disa vende të Bashkimit Evropian, por asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur ndonjë problem serioz për jetën.

“Më 30 nëntor të vitit 2021, 44 raste të konfirmuara me SARS-CoV-2 Omicron janë identifikuar në 11 vende të Bashkimit Evropian dhe Zonës Ekonomike Evropiane. Të gjitha rastet e raportuara janë asimptomatike ose mesatarisht simptomatike. Nuk ka pasur asnjë rast të rëndë të raportuar deri më tani ose asnjë viktimë”, thuhet në një deklaratë të ECDC.

Varianti i ri i Covid-19, Omicron u zbulua nga shkencëtarët javën që kaloi në Afrikën e Jugut. Që atëherë, raste të tjera janë raportuar përtej Afrikës Jugore, duke përfshirë Belgjikën, Kanadanë, Izraelin, Australinë, Britaninë e Madhe dhe disa vende të tjera.

Dhe me paralajmërimin e OBSH-së se varianti Omicron paraqet një rrezik shumë të lartë në botë, shkencëtarët po përpiqen të zbulojnë të dhëna rreth transmetueshmërisë dhe sa efektive do jenë vaksinat e koronavirusit kundër tij.