Bota

Varianti Omicron vazhdon “të pushtojë” botën!

Nga shpërthimi i pandemisë, Shtetet e Bashkuara dhe Franca kanë regjistruar nivelin më të lartë ditor të infektimeve me koronavirus. Autoritetet amerikane raportuan mbi 440 mijë raste ndërsa ato franceze, rreth 180 mijë. Në fillim të janarit, Franca rrezikon të përballet me më shumë se 250 mijë të infektuar në 24 orë. Ministri i Shëndetësisë, Olivier Veran:

Javët më të vështira nuk kanë ardhur ende.

Nga janari, rikthehet puna nga shtëpia, të paktën tre herë në javë.

Edhe Italia, Greqia, Portugalia, Qipro e Britania e Madhe kanë raportuar shifra rekord infektimi. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëron se “rreziku nga varianti Omicron mbetet shumë i lartë”. Këtë javë, në Europë ka një rritje me 57% të numrit të rasteve e në kontinentin amerikan, me 30%. Studimet sugjerojnë se varianti Omicron është më i butë se Delta, pasi ka 30-70% më pak mundësi që njerëzit të përfundojnë në spitale, por sërish ka një alarm se ato do të mbingarkohen me pacientë.

Për shkak të situatës epidemiologjike, kryeqytete si Parisi, Londra e Berlini, anuluan festimet për Vitin e Ri. Por, jo në Madrid. Në kryeqytetin spanjoll, zyrtarët thanë se do të festojnë me njerëzit në sheshin “Puerta del Sol”. Italia ndalon zhvillimin e eventeve të mëdha jashtë, si dhe ka mbyllur klubet e natës, por nuk ka vendosur kufizime në organizime private.

Tashmë që përveç vaksinave janë miratuar edhe pilulat anti-COVID, Gjermania njofton blerjen e një milion të tillave nga kompania amerikane, Pfizer. Në janar, priten dërgesat e para të ilaçit me emrin Paxlovid e autoritetet gjermane janë optimiste mbi efikasitetin e tij. Në Amerikë, Administrata për Ushqimin dhe Ilaçet autorizoi përdorimin emergjent të pilulës kundër koronavirusit.

Në Holandë, spitalet po përgatiten për një rritje të numrit të shtrimeve pasi konfirmohet se Omicron është kthyer në dominues në vend. Ky variant, përbën mbi gjysmën e të gjitha rasteve të koronavirusit në Holandë, ku shpresohet që masat e izolimit të vendosura më 19 dhjetor, të ndihmojnë në kufizimin e presionit ndaj sistemit shëndetësor. Fillimisht është menduar që të zgjasin deri më 14 janar.