Aktualitet

Vatra zjarri dhe procedime penale për zjarrvënës të qëllimshëm në vend!

Ministria e Mbrojtjes informon se prej orëve të para të mëngjesit është intensifikuar puna për shuarjen e zjarreve në vatrat aktive të mbetura në vend.

Pas orësh të tëra pune, si nga toka ashtu edhe me ndërhyrje nga ajri me helikopterë, në këto orë dreke u bë e mundur të shuhen vatrat e zjarrit në fshatin Dukat dhe në Gjirin e Gramës në Vlorë. Ndërkohë, në Gadishullin e Karaburunit, flakët ende janë aktive. Në zonë po ndërhyhet nga ajri edhe me helikopterin e ardhur nga Holanda, për izolimin e plotë të vatrave.

Pranë pikës kufitare Rips në fshatin Livadhja të bashkisë Finiq ka rënë zjarr në një terren të vështirë, por po mbahet nën kontroll për të shmangur rrezikun e banesave.

Gjithashtu, raportohen flakë në fshatin Gjorgos në Fier e për shuarjen e tyre janë angazhuar forcat operacionale të mbështetura nga një helikopter çek.

Zjarri në Majën e Runës, njësia administrative Malzi në Kukës, po mbahet nën kontroll, për të mos e lënë të përhapet në pjesë të banuara. Për shkak të terrenit të vështirë, e pamundur ndërhyrja në të gjithë zonën.

Puna e forcave të emergjencave civile po vijon për të mbajtur nën kontroll flakët edhe në vatrat e hapura në fshatrat Thirrë e Munellë-Domgjon në Mirditë.

Një 42-vjeçar u shpall në kërkim sot në Vlorë, pasi dyshohet si autor i zjarrvënies në fshatin Gjorm.

Ai akuzohet se dogji sipërfaqe të tëra toke me ullinj e kullota. Dy ditë më parë, flakët u përhapën me shumë shpejtësi dhe në Gjorm u shkrumbuan tre banesa, 600 rrënjë ullinj, 50 bagëti të imëta, si dhe 3 stalla me ushqim për bagëtitë. Falë ndërhyrjes nga ajri e toka u bë i mundur neutralizimi i rrezikut për djegien e shtëpive të tjera.

Në Gjirokastër nisën hetimet ndaj tre shtetasve të dyshuar si zjarrvënës në fshatrat Mashkullorë, Llovinë e Qestorat. Në gjendje të lirë po procedohet edhe një i moshuar 73-vjeç në Lezhë, për një zjarr në fshatin Mabë.