Aktualitet

Vazhdim me të njëjtën skemë për mbi 7 mijë biznese të tensionit të mesëm!

Krahas konsumatorit familjar e biznesit të vogël, qeveria shqiptare do të vijojë të mbrojë edhe biznesin e lidhur në tensionin e mesëm, nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Në përfundim të mbledhjes së Ekzekutivit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se “kanë vijuar diskutimet me biznesin e lidhur në tensionin e mesëm dhe se do të vijohet me të njëjtën skemë”.

Qeveria shqiptare do të bëjë të pamundurën për të mbrojtur abonentin familjar dhe bizneset e vogla. Kemi vijuar komunikimin me përfaqësuesit e 7 mijë e 476 bizneseve të tensionit të mesëm. Kemi mbledhur kërkesat e tyre për mbështetje dhe besoj se do të vijohet me të njëjtën skemë, por në javën e ardhshme do të ketë më tepër detaje.

7 mijë e 476 biznese të lidhura në tension të mesëm 6,10 dhe 20 kilovolt, nga data 1 janar kishin detyrimin e daljes në tregun e lirë, por që pas shqetësimit të tyre për koston e lartë, qeveria vendosi që t’i mbante me një çmim preferencial deri në qershor.

Sa i përket përcaktimit të fashës së konsumit për abonentët familjarë, ministrja informoi se ka përfunduar analiza e thelluar dhe se do të përcaktohet fasha e mbrojtur që diskutohet të jetë 700 ose 800 kilovat/orë.

Përtej kësaj fashe, ministrja bëri të ditur se do të paguhet një çmim më i lartë nga ana e konsumatorit, por jo ai i tregut, pasi siç theksoi ajo, nuk do të përballohej dot nga konsumatorët.