Bota

Vazhdojnë bisedimet Biden-McCarthy për rritjen e tavanit të borxhit!

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy ritakohen sot, për të biseduar lidhur me rritjen e tavanit të huamarrjes. McCarthy tha se zhvilloi një bisedë telefonike produktive me presidentin ndërsa Biden kthehej për në Shtetet e Bashkuara nga Japonia ku mori pjesë në samitin e G7-ës. McCarthy u shpreh se pati diskutime pozitive lidhur me zgjidhjen e krizës dhe se bisedimet mes ekipeve të punës rifilluan që dje.

Më herët, shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se do të ishte i gatshëm të shkurtonte shpenzimet për të arritur një marrëveshje, por oferta e fundit nga republikanët për rritjen e tavanit të borxhit nuk ishte “e pranueshme”.

Para se të largohej nga Japonia, Joe Biden sugjeroi se disa republikanë në Kongres ishin të gatshëm të shihnin dështimin e Shteteve të Bashkuara ndaj detyrimeve financiare, që rezultatet katastrofike ta pengonin të fitonte një mandat të dytë presidencial në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Ai tha se republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve duhet të ndryshojnë qëndrimet e tyre ekstreme në bisedimet për rritjen e tavanit të borxhit. Duke folur për gazetarët, Biden u shpreh se nuk do të ketë një marrëveshje për të shmangur dështimin amerikan për të paguar borxhet, bazuar vetëm te kushtet e republikanëve.

Departamenti i Thesarit ka paralajmëruar se pas datës 1 qershor, qeveria federale mund të mos jetë në gjendje të paguajë të gjitha detyrimet e saj financiare. Një gjë e tillë do të shkaktonte një kaos në tregjet financiare dhe rritjen e normave të interesit. Biden tha:

Shumë nga propozimet, janë thjeshtë të papranueshme. Eshtë koha që republikanët ta kuptojnë se marrëveshjet dypartiake nuk arrihen të vetme, vetëm në bazë të kushteve të tyre partiake. Ata duhet të bëjnë lëshime, gjithashtu.

Udhëheqësit botërorë në takimin e nivelit të lartë të 7 vendeve më të pasura të botës në Hiroshimë, shprehën shqetësim mbi pasojat ekstreme që do të kishte një dështim i Shteteve të Bashkuara për të paguar detyrimet financiare.

Negociatat mes Shtëpisë së Bardhë dhe republikanëve në Kongres në lidhje me rritjen e tavanit të borxhit federal prej 31.4 trilion dollarësh dështuan të premten. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve këmbëngulin për uljen e shpenzimeve federale para se të pajtohen për rritjen e tavanit të huamarrjes nga qeveria.