Aktualitet

Moti i keq në vend, vazhdojnë problemet në disa zona!

Moti i keq, me stuhi ere e reshje të dendura shiu krijoi probleme në Gjirokastër. Përroi i Lënxës doli nga shtrati në Lazarat, duke penguar lëvizjen e njerëzve dhe makinave, që lidhin dy lagjet kryesore të fshatit.

Pas pastrimit të inerteve nga punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve, situata duket më e normalizuar. Probleme ka edhe në aksin rural Kolonjë-Golem, ku inertet e rëna nga lartësitë, si pasojë e shirave, çuan në bllokim të rrugës. Momentalisht, banorët e Golemit gjenden të izoluar nga pjesa tjetër e vendit.

Ndërkohë, disa fshatra në Tepelenë dhe Memaliaj kanë probleme me furnizimin me energji elektrike, si rezultat i avarive, po nga moti i keq.

Në Kukës kanë nisur reshjet e para të borës. Në Novosej, Shishtavec, Borje e Topojan, temperaturat janë ulur ndjeshëm. Ndërkaq, në 24 orët e fundit, qyteti i Kukësit është përfshirë nga moti i keq, me reshje shiu të dendura, por pa sjellë problematika. Nga informacionet në terren për qarkun verilindor, rrugët kombëtare qarkullohen normalisht. Ka pasur rënie inertesh në disa segmente, por u bë i mundur pastrimi i tyre, pa penguar qarkullimin. Në bashkitë Kukës, Tropojë e Has, nuk ka raportime për problematika emergjente.

Kushtet e paqëndrueshme atmosferike mbeten prezente në vendin tonë, duke diktuar vranësira dhe shira. Sipas shërbimit MeteoAlb, orët e pasdites vijojnë me zhvillim të mëtejshëm të vranësirave, duke sjellë rrebeshe shiu e mini-stuhi të forta ere, në Ultësirën Perëndimore, ndërsa reshje dëbore ka në zonat malore, përgjatë shtrirjes lindore. Temperaturat e ajrit luhaten në vlerat ditore nga 2 në 17 gradë celcius. Era fryn e fortë në tokë dhe në det, duke arritur shpejtësinë maksimale 70 km/h nga drejtimi Jugor-Jugperëndimor e krijuar dallgë mbi 6 ballë, në brigjet detare.