Rajoni

Vazhdojnë protestat në veri të Kosovës, situatë e qetë në Zveçan!

Vazhdojnë protestat e serbëve në veri të Kosovës kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe, si dhe për largimin e njësive speciale të policisë. Në Zveçan ka protestë, por situata paraqitet e qetë. Kryesisht në protestë janë duke marrë pjesë gratë e punësuara në sektorin e arsimit. Serbët në veri vijojnë të protestojnë rregullisht prej 26 majit në komunat e Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç tha se është në pritje të një propozimi nga Perëndimi për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës. Siç është bërë e ditur, dy diplomatët perëndimorë të BE-së e SHBA-ve, Mirosllav Lajçak e Gabriel Escobar pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, javën e ardhshme. Një ndër qëllimet e vizitës është shtensionimi i situatës në veri të Kosovës.

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviç tha se do të ishte hap kyç tërheqja e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore. Sipas tij, ky hap do të pasohej me një vlerësim të ri të situatës së sigurisë nga Serbia.

Subjekti politik serb në Kosovë, Lista Serbe, reagoi ndaj fjalimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në seancën e Kuvendit publikoi disa emra, për të cilët tha se ishin personat përgjegjës që shkaktuan tensione më 29 maj në Zveçan, ku u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it.

Kuvendi i Kosovës diskutoi rreth situatës në veri dhe për raportet me aleatët. Ndër të tjera, kryeministri Kurti tha:

Nuk jemi kundër serbëve. I kemi ftuar të kthehen në institucione.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi shkarkimin e qeverisë Kurti, duke ftuar deputetët që të nisin mocion mosbesimi ndaj saj.

Mosbesim deri në pabesi nga ana e kryetarit të qeverisë së Kosovës ndaj aleatëve të sigurisë, që ende janë garancia e sigurisë sonë.