Aktualitet

Vazhdon i nxehti afrikan në vend/Temperaturat e larta rrisin konsumin e energjisë në vend!

Kushtet e qëndrueshme atmosferike do të dominojnë edhe sot në vendin tonë, duke sjellë mbizotërim të motit të kthjellët, në një pjesë të mirë të territorit shqiptar. Po ashtu, temperaturat e larta që kanë përfshirë Shqipërinë do të vijojnë të jenë prezente, si pasojë e masave ajrore nga kontinenti afrikan.

Parashikimet e shërbimit MeteoAlb janë që vonë pasdite të ketë grumbullim të vranësirave në zonat veriore e ato veri-perëndimore, edhe pse mundësia për reshje shiu është thuajse zero.

Sa i përket temperaturave të ajrit, pësuan ulje në mëngjes dhe kjo tendencë do të vazhdojë në mesditë duke bërë që të luhaten në vlerat ditore nga 15 deri në 39 gradë celcius.

Ndërkohë, temperaturat e larta dhe mbi mesataren e periudhës, gjatë ditëve të fundit, kanë rritur ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike në vendin tonë. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare informoi se prodhimi në Kaskadën e Drinit është 13.233 MWh, ndërsa kërkesa ditore për konsum nga Furnizuesi i Shërbimit Universal është 18.889 MWh. Sipas të dhënave të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, rezerva energjitike është 1011.9 GWh.

Çmimi i energjisë në bursë shënon 360 euro/MWh. Temperaturat e larta e mbi mesataren e periudhës gjatë ditëve të fundit kanë rritur ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike në territorin e vendit tonë. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare iu bën thirrje konsumatorëve fundorë të përdorin në mënyrë sa më eficiente energjinë elektrike.

Gjithashtu, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare publikoi të dhëna të situatës aktuale në Kaskadën e Drinit.

Prurjet natyrore në kaskadë janë 105 m3/s. Niveli i liqenit të HEC-it të Fierzës është 287.19 m, ndërsa kuota maksimale është 296 m. Niveli i liqenit të HEC-it të Komanit është 173.40 m, teksa kuota maksimale është 175.5 m. Niveli i liqenit në HEC-in e Vaut të Dejës është 73.72 m dhe kuota maksimale është 76 m.

Prurjet natyrore në HEC-in e Fierzës llogariten 60 m3/s, në HEC-in e Komanit 35 m3/s, ndërsa në atë të Vaut të Dejës, 10 m3/s.