Rajoni

Vazhdon protesta në veri të Kosovës, serbët nuk tërhiqen!

Prej orëve të para të mëngjesit, serbët po protestojnë para ndërtesave komunale të Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të këtyre komunave. Policia e Kosovës, si edhe trupa të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR kanë shtuar prezencën e tyre në veri.

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe i Zveçanit, Ilir Peci u panë duke shkuar në takim me ambasadorin e SHBA-ve në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. Zeqiri e Peci vijnë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë. Takimi me Hovenierin mbahet në Zyrën e Bashkimit Europian në Prishtinë, duke u ndjekur dhe nga shefi i kësaj zyre, Tomas Syzjong.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç tha se janë dy kërkesa që ua përcolli përfaqësuesve të KFOR-it e ambasadorëve në Prishtinë, që protestuesit serbë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave në veri. “Kërkesat tona janë që sherifët e paligjshëm të shkojnë në shtëpi e të gjitha njësitë speciale të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është komuna”, – tha Rakiç, duke folur nga Zveçani.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç tha se protestuesit do të qëndrojnë deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura. “Ne nuk largohemi derisa ata të tërhiqen. Presim që KFOR-i të qëndrojë neutral ndaj statusit, të mos ofrojë mbrojtje për njësitë e paligjshme policore, të ruajë paqen sepse ne jemi të interesuar për paqe. Qytetarët erdhën këtu për të mbrojtur paqen dhe familjet e tyre”, – tha Simiç.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se detyrë e KFOR-it është “të pamundësojë aktet e njëanshme të Prishtinës, jo të pengojë punonjësit të hyjnë në ndërtesat komunale”. “Tani po i ruajnë kryetarët me pretekstin e ruajtjes së paqes. Duket se po i ruajnë nga pronarët e objekteve, pra serbët, nga ata që punojnë atje. Nuk mund të jenë kryetarë në komunat serbe, ku serbët nuk i kanë zgjedhur”, tha Daçiç për Radio-Televizionin e Serbisë.

Forcat e armatosura të Serbisë janë në gjendje gatishmërie. Autoritetet serbe vendosën që ato të mbeten në nivelin më të lartë të gatishmërisë deri në njoftimin e radhës, për shkak të situatës në veri të Kosovës. Komuniteti serb i bojkotoi zgjedhjet e 23 prillit, nga të cilat dolën kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.