Aktualitet

Vazhdon të digjet kurora e pishave në Krujë!

I favorizuar nga temperaturat e larta dhe era, nga mbrëmë, zjarri vazhdon të ketë nën kontroll kurorën e pishave të Krastës në Krujë. Zjarrfikësit dhe forcat e ushtrisë vijojnë luftën me flakët, ndërsa dëmi në pyllin me pisha duket i konsiderueshëm. Në mbrëmje në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe forca të ushtrisë nga Burreli e Tirana.

Sa i përket parashikimit të motit, sot në vendin tonë pritet tërheqje graduale e masave ajrore afrikane. Sipas shërbimit MeteoAlb, deri në orët e pasdites, kthjellimet do të jenë dominate në të gjithë territorin. Më pas, vranësirat do të shfaqen si fillim në zonat malore e gradualisht në pjesën më të madhe të territorit, më të dendura në zonat malore përgjatë shtrirjes lindore, duke sjellë rrebeshe shiu e mini-stuhi ere në juglindje dhe në ekstremin jugor të vendit. Po ashtu do të ketë shtim të lagështirës në ajër duke bërë që temperaturat të ndihen më të larta. Sot variojnë nga 12 në 37 gradë celcius.

Ndërkohë, nesër situata meteorologjike do të ndryshojë. Po sipas MeteoAlbit, depërtimi i një mase ajrore të ftohtë nga veriu i Europës drejt vendit tonë do të sjellë vranësira e shira në të gjithë territorin, vazhdimisht rrebeshe shoqëruar me mini-stuhi të forta ere dhe shkarkesa elektrike. Në zona të izoluara priten stuhi breshëri. Nuk do të mungojnë gjithashtu intervalet me kthjellime, kryesisht në Ultësirën Perëndimore. Megjithatë, moti mbetet i paqëndrueshëm pothuajse gjatë gjithë ditës së premte, me vranësira e rrebeshe shiu dominante. Nesër temperaturat pritet të luhaten në vlerat nga 9 deri në 31 gradë celcius.