Bota

Vdekja e 22-vjeçares në Iran, protesta pro-regjimit për të sfiduar protestuesit anti-qeveritarë!

Regjimi iranian organizoi tubime për të sfiduar protestat anti-qeveritare, pas vdekjes së një 22-vjeçareje, e cila ishte ndaluar nga Policia e Moralit se nuk respektoi rregullat për hixhabin. Media shtetërore, IRNA raportoi se pati manifestime “për të censuruar ofendimet ndaj Kuranit të Shenjtë, vënien në flakë të xhamive, si edhe shkeljet e kodit të veshjes islamike”.

Protestuesit dënuan protestat anti-qeveritare, duke i quajtur pjesëmarrësit “Ushtarë të Izraelit”. Po ashtu u dëgjuan brohoritjet: “Vdekje Amerikës!” dhe “Vdekje Izraelit!”, slogane që rëndom përdoren nga udhëheqësit klerikë në organizimet shtetërore. Të tilla protesta vijnë mes paralajmërimeve të fuqishme nga autoritetet, pasi ushtria u tha iranianëve që të përballen me “armiqtë” që qëndrojnë pas trazirave.

Në ditët e fundit, në dhjetëra qytete iraniane u organizuan protesta për vdekjen e Mahsa Amini, e cila u arrestua nga Policia e Moralit me pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit.

Policia tha se ajo vdiq nga një infarkt, por aktivistët hedhin poshtë këto pretendime, duke argumentuar se u dhunua gjatë arrestimit. Protestat nisën në vendlindjen e Aminit, në provincën Kurdistan, por më pas u përhapën edhe në pjesë të tjera të vendit, përfshirë kryeqytetin Teheran.

Vdekja e Aminit ka bërë që të bëhet thirrje për t’i dhënë fund ligjit për mbajtjen e detyrueshme të hixhabit dhe për shkrirjen e Departamentit të Policisë së Moralit. Madje, disa protestues bënë thirrje që Republikës Islamike t’i vijë fundi.

Ushtria e Iranit deklaroi:

Ne nuk do të lejojmë që armiqtë tanë ta përdorin këtë situatë!

Dy ditë më parë, kreu i gjyqësorit në Iran, Gholam-Hossein Mohseni-Ejei, u bëri thirrje forcave të sigurisë që të përgjigjen me forcë ndaj protestave. Që nga nisja e tyre, janë arrestuar 288 persona e sipas shifrave zyrtare, 17 persona humbën jetën, mes tyre pesë policë. Por, Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran, me seli në Nju Jork, tha se numri i viktimave është 36 e kjo shifër pritet të rritet.