Art & Kulturë Sot Nuk Është e Hënë

“Vdekja e Enver Hoxhës”, shumë romane në një vepër që vjen me një thirrje për të reflektuar!

Nëse nisemi nga titulli i kësaj vepre, mund të mendojmë se autori Pëllumb Kulla e sjell si një provokim. Ai nuk do të provokojë. Nuk donte ta bënte këtë as kur libri u prezantua në librari, në muajin tetor të 2013, që përkonte me 100- vjetorin e lindjes së diktatorit Enver Hoxha. Pëllumb Kulla nuk e dëshironte të provokonte as me titullin “Vdekja e Enver Hoxhës”.

Ai nuk ka zgjedhur të merret me “stuhinë enveriane” e as me analizën e kohës që shkoi. Pëllumb Kulla ka dashur të rrëfejë një moment të asaj historie. Pikërisht ditën e vdekjes së diktatorit, kohë kur një popull i tërë, edhe pse e dinte se ai kishte ndërruar jetë, i duhej të priste orën 12, kur lajmi të jepej zyrtarisht, për të reaguar ndaj vdekjes së tij, për ta qarë atë… Pëllumb Kulla e ka përshkruar gjithë këtë ngjarje, mbështjellë me humor të hollë, sepse e tillë ishte ngjarja, të tillë ishin njerëzit, të tilla ishin reagimet që shoqëruan mortin, “vdekjen e Enver Hoxhës”…

Libri që në kopertinë të jep idenë se aty do të flitet për Enver Hoxhën, për bëmat e tij, për dëmet që shkaktoi politika e tij. Por, në fakt, titulli i librit nuk përmban asnjë emocion apo qëndrim të autorit. Libri përshkruan të gjithë inskenimin e ngjarjes, reagimin e shqiptarëve, vështirësinë e atyre që ishin të trembur prej tij, por edhe atyre që i qëndruan besnik deri në fund. Kulla nuk merret me “stuhinë enveriane”, dallgët e shumta ndër vite, por me dërrasat e anijeve të shkatërruara, që rrinë në sipërfaqe. Pikërisht këto dërrasa, që qëndrojnë mbi ujin e qetë, tani janë një shkatërrim shumë i madh njerëzor e shpirtëror.

Libri në vetvete është i përbërë nga disa kapituj, që Pëllumb Kulla i ka quajtur “shumë romane në një”. Në fakt, janë tre romane të shkurtra të lidhura mes njëri-tjetrin, që marrin jetë e dritë pikërisht nga vdekja e Enver Hoxhës. Këtu nuk ka një veprim klasik të linjës së një romani, është tema e cila e ngjiz këtë roman. Në asnjë prej kapitujve nuk përjashtohet vdekja e diktatorit.

Në kapitullin e parë, shfaqet gjithë rutinën e njeriut që përgatiste homazhet e Enverit. Ai përgatiste makijazhin e fytyrës së tij, për ta paraqitur para publikut. Ky rrëfen me vërtetësi të gjithë skenat dhe prapaskenat e kësaj paraqitjeje, të gjitha vonesat për dhënien e lajmit, të gjitha përgatitjet për të mos u ndodhur përballë ndonjë grushti shteti. Kjo është edhe pjesa më thelbësore e romanit.

Pjesa e dytë hedh një vështrim në jetën e burgjeve të Shqipërisë, ku në radion e madhe të kampit të të burgosurve dëgjohen vazhdimisht lajmet e sukseset dhe në momente vdekjeje dëgjohet muzikë funebër. Të burgosurit presin të marrin lajmin se kush vdiq kësaj here. Kjo pjesë merret me gjëegjëzën se kush ka vdekur. Nuk pritet kurrsesi që ai të jetë Enver Hoxha, një figure që në mendjen e të burgosurve ishte gati-gati i pavdekshëm. Pikërisht vdekja e Enverit, i jep jetë të përditshmes së të burgosurve.

Në kapitullin e fundit, Enver Hoxha ka pesë vjet që ka vdekur. Ngjarjet zhvillohen në një qytet X, i cili më parë nuk dallohej për asgjë, ndërsa tani fillon të shquhet prej zisë së gjatë që mbante për vdekjen e diktatorit. Zia është elementi themelor i këtij qyteti. Befas, ajo është kthyer në krenarinë e qytetit, por problemi qëndron se kush do ta marrë i pari guximin ta thyejë atë. Ky qytet është një metaforë, ai në një farë mënyre përshkruan gjithë Shqipërinë. Jo më kot është vendosur pesë vjet mbajtjen e zisë në këtë qytet, pasi më vonë, pas vdekjes së diktatorit, në ‘85-ën erdhën edhe ndryshimet e viteve ‘90.  Libri “Vdekja e Enver Hoxhës” është sipas autorit një thirrje për të reflektuar.