Aktualitet

Vdekja e tre shtetasve nga Kosova në Gjirin e Lalzit, pritet ekspertiza/Reagon QSUT!

Për vdekjen në Gjirin e Lalzit të tre pjesëtarëve të familjes Haliti nga Gjilani i Kosovës priten rezultatet e ekspertizës për të përcaktuar shkaqet. Paraprakisht dyshohet se 78-vjeçarja Ilfete Haliti, djali i saj Afrim 56 dhe nusja e shtëpisë Ferzinaze 47-vjeçe u helmuan nga konsumi i kërpudhave të mbledhura në pyll e të konsumuara në banesën e tyre, të blerë 4 vite më parë në Gjirin e Lalzit.

Ndërkaq lidhur me rastin që e ka zanafillën më 5 maj, policia nisi procedim penal në gjendje të lirë “Për mjekim të pakujdesshëm” ndaj dy mjekëve të Qendrës Shëndetësore të Manzës, Jonuz Karaj e Shyqyri Beqja. Por nga drejtuesit e kësaj qendre pretendohet se u ndoqën protokollet dhe nuk pati asnjë neglizhencë. Pasi gjendja shëndetësore e tre pjesëtarëve të familjes Haliti u përkeqësua, më 6 maj u transportuan në Spitalin e Durrësit e më tej në Tiranë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Njoftimi i QSUT-së:

Paraditen e 6 majit, në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme, tre pjesëtarët e familjes Haliti u paraqitën me ambulancë, në gjendje të rëndë dhe me diagnozë: “Intoksikacion nga kërpudha”. Pasi iu kryen të gjitha ekzaminimet e konsultat sipas protokolleve mjekësore të Urgjencës, fillimisht u shtruan në Shërbimin e Toksikologjisë e në mbrëmje, për shkak se gjendja e tyre u përkeqësua, u dërguan në Shërbimin e Reanimacionit Qendror. Ilfete Haliti ndërroi jetë më 6 maj, djali i saj Afrim në datën 7 ndërsa bashkëshortja e 56-vjeçarit, një ditë më pas, më 8 maj.

Një natë më parë, trupat e pajetë u kthyen në Gjilan për ceremoninë e varrimit.

Afrim e Ferzinaze Haliti ishin prindër të 4 fëmijëve, një vajze e tre djemve dhe njëri prej tyre reagoi sot për mediat në Kosovë. Ai deklaroi se babai i njihte mirë kërpudhat si dhe hodhi dyshime kur u shpreh se gjithashtu ngordhi qeni i shtëpisë që nuk konsumonte ushqimet e pjesëtarëve të familjes.

Ndërkaq, akuzoi mjekët e Qendrës Shëndetësore të Manzës për neglizhencë duke i lënë pacientët të ktheheshin në shtëpi ndonëse sipas tij “ishin në gjendje të rëndë” dhe “pa iu bërë analizat”.