Aktualitet

Veliaj-nxënësve: Rruga drejt përmbushjes kalon nga shkolla!

Bashkia e Tiranës ka marrë masa të posaçme për mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor, duke vënë theksin te siguria e nxënësve dhe lehtësimi i trafikut në orët e mëngjesit dhe pasdrekes. Policia Bashkiake ka vendosur shërbime në 75 shkolla në të gjithë qytetin, si dhe në dhjetëra kryqëzime dhe vija të bardha pranë tyre, për të garantuar një fillim të sigurt për nxënësit dhe prindërit e tyre.

Falë bashkëpunimit mes Policisë Bashkiake dhe Policisë Rrugore, e cila ka qenë e pranishme në terren, fillimi i shkollës ka shkuar pa probleme dhe pa ngarkesa të mëdha trafiku. Këto masa janë pjesë e një plani të mirëpërcaktuar nga Bashkia e Tiranës për të siguruar një nisje të mbarë të vitit të ri shkollor.

Bashkia e Tiranës mbetet e angazhuar për të vazhduar punën e saj për sigurinë dhe lehtësimin e lëvizjes, duke monitoruar nga afër situatën dhe duke ndërhyrë aty ku është e nevojshme për t’i dhënë përparësi sigurisë së fëmijëve dhe komunitetit.

Në ditën e parë të shkollës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar me një letër nxënësve duke i uruar një vit më të mbarë shkollor. Veliaj shkruan se bashkia nuk e ka ndalur punën lidhur me shkollat e reja të Tiranës që sot janë me standarde europiane.

Dihet tashmë, teksa ju pushonit nëpër plazhe apo male, ne të Bashkisë nuk e ndalëm punën lidhur me shkollat. E kemi kthyer prej kohësh situatën përmbys, e kemi ndryshuar faqen dhe shkollat e Tiranës sonë, tashmë, janë të standardeve evropiane. Mbi 40 shkolla të reja dhe të rikonskruktuara deri më sot dhe nuk kemi ndalur.

Veliaj shprehet se janë 5 shkolla të reja që presin nxënësit të rikthehen në ambientet e tyre më moderne dhe më bashkëkohore, duke theksuar se janë edhe 37 institucione të tjera arsimore që presin të ndërtohen dhe rikonstruktohen.

Këtë vit, jam shumë i lumtur që nxënësit e “Musine Kokalari”-t, “Xhezmi Delli”-t, “Myslym Keta”-s, “Avni Rustemi”-t dhe “Emin Duraku”-t rikthehen në shkollat e tyre më moderne, më bashkëkohore, por, mbi të gjitha, më të sigurta. E do të vijojmë edhe këtë vit dhe në vitet në vijim – janë edhe 37 shkolla të tjera që presin të ndërtohen apo të rikonstruktohen. Sepse puna jonë është të sigurojmë që çdo brez i ri të ketë mundësinë të rritet në një mjedis që i hap dyert e së ardhmes. Dhe, në fund të fundit, punët e mira nuk mbarojnë kurrë.