Bota

Vendet jo të pasura do të ndihmohen me ilaçe anti-COVID nga OBSH!

Organizata Botërore e Shëndetësisë po synon të ndihmojë vendet e varfra që të sigurojnë teste, vaksina dhe ilaçe antivirale për pacientët me simptoma të lehta të COVID-19. Kështu thuhet në një dokument të siguruar nga agjencia Reuters. Kjo pritet të realizohet përmes një programi të veçantë, i cili ende është në formën e draftit. Dokumenti përshkruan qëllimet e programit të OBSH-së, deri në shtator të vitit të ardhshëm.

Do të dhurohen rreth 1 miliard teste ndaj COVID-19 për kombet më të varfra e pritet të blihen ilaçe për trajtimin e 120 milion pacientëve në nivel global, nga rreth 200 milion raste të reja që vlerësohet se do të paraqiten në 12 muajt e ardhshëm.

Planet tregojnë angazhimin e OBSH-së për të rritur furnizimet me ilaçe dhe teste, me një çmim relativisht të ulët. Masa vjen pasi ka pasur shumë kritika për një akses të pabarabartë në vaksinat kundër COVID-it. Vendet e pasura siguruan një pjesë të madhe të furnizimeve duke i lënë ato të varfra, pa sasi të mjaftueshme.

Një zëdhënës i OBSH-së tha se dokumenti i datës 13 tetor, ende është draft e po zhvillohen konsultime. Ai refuzoi të japë më shumë detaje. Gjithashtu do t’i dërgohet liderëve globalë, përpara një samiti të G20-ës në Romë, në fund të muajit.

Programi kërkon nga G20 dhe të tjerë donatorë, të dhurojnë fonde shtesë prej 22.8 miliard dollarësh deri në shtator të vitit 2022, të cilat do të nevojiten për të blerë e shpërndarë vaksina, ilaçe dhe teste në vendet më të varfra. Deri tani, shtetet e pasura kanë premtuar 18.5 miliard dollarë për programin.

OBSH-ja planifikon edhe sigurimin e ilaçeve antivirale për pacientët me COVID-19. Kompania farmaceutike “Merck” i kërkoi FDA-së amerikane, t’i miratohet përdorimi emergjent i pilulës për trajtimin e pacientëve me koronavirus. Nëse jepet OK-ei, Molnupiravir do të bëhej pilula e parë orale antivirale kundër COVID-it. Edhe pse nuk e citon këtë ilaç, OBSH planifikon të paguajë. Ndërkaq, synon të adresojë nevojat thelbësore të oksigjenit mjekësor të 6-8 milion pacientëve në gjendje rëndë, po deri në shtator të vitit 2022.

Për më shumë, programi “Përshpejtimi në aksesin e mjeteve të COVID-19”, planifikon të investojë masivisht në diagnostikimin e koronavirusit, që të paktën të dyfishojë numrin e testeve të kryera në kombet më të varfra, të përcaktuara si vende me të ardhura të ulëta e të mesme.