Aktualitet Lajmet e fundit

Vendi nën “darën” e motit të keq, vonesa për tragetet drejt Barit!

Për shkak të motit të paqëndrueshëm, në Portin e Durrësit sot ka prani të reshjeve të shiut, shoqëruar me erë të fortë nga kuadrati i jugut. Era gjatë 24 orëve të fundit ka arritur në 22 m/s, ndërsa sasia e deritanishme e reshjeve ka arritur në 28 mm, shoqëruar me temperatura në minimumin e tyre 7 gradë celcius dhe maksimum prej rreth 14 gradë.

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se, era do të vijojë të jetë prezente në pjesën e parë të ditës, me shpejtësi deri 15 m/s. Në pjesën e dytë pritet rënie e intensitetit të saj.

Valëzimi në det arrin deri në 6-7. Kushtet e motit kanë ndikuar në nisjen e trageteve drejt Barit me disa orë me vonesë, përkatësisht “Af Francesca” nisur në orën 02:35 dhe “Rigel VII” nisur drejt Barit në orën 02:50. Ndërsa nuk janë krijuar vonesa në mbërritjen e trageteve në portin e Durrësit, të dy tragetet e linjës Bari-Durrës janë akostuar në oraret e parashikuara. Procesi i përpunimit të mallrave vijon pa problem.

Përkeqësimi i kushteve meteorologjike në Gjirin e Vlorës po pezullon lundrimin e mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit.

Bazuar në parashikimin lidhur me situatën  hidrometeorologjike  të përkeqësuar në  Gjirin  e  Vlorës  dhe  jashtë saj  për  ditën e sotme do të jetë  në  drejtimin JUG-JUGPERENDIM në  forcën  4-5bft 08-10m/s brenda  Gjirit  të  Vlorës  dhe  jashtë  Gjirit  të  Vlorës  në  forcën  6-7bft 10-17m/s me lartësi dallge  nga  1.50  deri  2.50  metra.

Sipas Kapitenerisë, përmirësimi  i  situatës meteorologjike  të  përkeqësuar  në  gjirin e  Vlorës  dhe  jashtë  saj  për  mjetet  e  vogla lundruese  dhe  të peshkimit  do të nisë nga ora 16:00 e pasdites së sotme.