Food & Drink Lifestyle

Vendi që shquhet për prodhimin e pijes me një përqindje të lartë alkooli edhe pse është shpallur e paligjshme!

Është transparente sikur uji dhe në shumë prej shtëpive rreth e qark Sardenjës janë duke e prodhuar ende në mënyrë ilegale. “Filu é ferru”, është një pije e vjetër me një përqindje të lartë alkooli që arrin deri në 45%. Rosa Maria Scrugli ishte 23 vjeçe kur në vitin 1970 u dërgua me një mision pune në një qytezë të vogël të quajtur Santu Lussurgiu, që ndodhet në zonën e egër të Oristanos, në Sardenjën perëndimore.

Prej 400 vjetësh, kjo qytezë që ka rreth 2 mijë banorë, shquhet për bërjen e një pijeje të fuqishme të quajtur “filu e ferru”, por të pagëzuar nga vendasit si “abbardente” ose “uji që djeg”. I pari i zonës, i ofroi Scruglit një natë disa shotsa mirëseardhjeje, por duket se ajo e pësoi me të parën, pasi gati kaloi në kolaps. Scrugli tha për CNN se:

Ajo që di është se dikush më mori nga andej dhe më pas jam zgjuar në dhomën time të hotelit me dhimbjen më të keqe të kokës që kam pasur ndonjëherë. Edhe kryebashkiaku gjithashtu nuk po ndihej mirë, por ai ishte mësuar që të pinte “filu e ferru”. Por për mua ishte hera e parë dhe isha me të vërtetë e shokuar.

Në shekullin XIX kjo pije u shpall e paligjshme nga familja mbretërore e Savojave, duke bërë që të nisë kështu një tregti ilegale në Santu Lussurgiu. Që prej asaj kohe, kontrollet e policisë ishin të shpeshta, ndërsa fermerët përpiqeshin që shishet e tyre t’i fshihnin nëpër vende sekrete në shtëpi, apo në bodrumet e tyre.

Santu Lussurgiu është konsideruar si qyteza ku ka marrë jetë pija tradicionale e Sardenjës. I vetmi person që e prodhon në mënyrë legale është Carlo Psiche, i cili zotëron Distilerinë e tij Lussurgesi, duke përdorur disa nga proceset më tradicionale të distilimit, si e vetmja distileri që përdor verën e vërtetë.