Për Bashkimin Europian, vendimi i qeverisë së Kosovës për të shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, është “hap i njëanshëm, që nuk i kontribuon uljes së tensioneve”. Besohet se ato veprojnë në veriun e Kosovës dhe numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano deklaroi:
Ky cilësim, [shpallja si organizata terroriste] është hap i njëanshëm dhe nuk i kontribuon shtensionimit të situatës e gjetjes së rrugës për të adresuar problemet ekzistuese në një mënyrë të qëndrueshme. Liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së, gjatë një takimi të mbajtur javën e kaluar bënë thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës.
Ne përsërisim thirrjen për të dyja palët që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të çojë në rritjen e mëtejshme të tensioneve dhe që urgjentisht të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën aktuale në veri të Kosovës. Kjo në të njëjtën linjë me propozimin e bërë nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, më 22 qershor dhe deklaratën e BE-së të 3 qershorit.
Sipas kryeministrit Albin Kurti, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” paraqesin “kërcënim serioz e të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues e sigurinë në Kosovë”.
Këto dy organizata kanë kryer veprime me elementë terroristë, si sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të policisë së Kosovës, të Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit, EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Referuar ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Që nga përfundimi i luftës më 1999-ën, në Kosovë veprojnë struktura ilegale, të mbështetura e financuara nga shteti i Serbisë. Ndër to është dhe “Mbrojtja Civile”, e dalë publikisht më 2011-ën. Shuarja e saj u përfshi në marrëveshjen Kosovë-Serbi të 2015-ës, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Ndërkaq, në gusht të vitit 2022, në pjesën veriore të Kosovës u shfaqën grafite me një logo dhe mbishkrimin “Brigada e Veriut”, në serbisht. Nuk dihet se kush qëndron pas saj, nëse ka anëtarë aktivë dhe cili është roli i tyre.