Aktualitet

Vendimi për 30 qershorin, Meta kërkon nga KPA hetim disiplinor për anëtarët e Kushtetueses!

Për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, Presidenti Ilir Meta i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA hetimin disiplinor të relatores së çështjes, Fiona Papajorgji e gjithashtu të anëtarëve të tjerë. Sipas tij, “kanë konsumuar shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit lidhur me vendimin për 30 qershorin”.

Provat e marra sipas formës së kërkuara nga ligji dhe me të cilat Presidenti i Republikës është njohur zyrtarisht së fundmi nga Gjykata Kushtetuese, e që kanë lidhje me një çështje të shqyrtuar së fundmi nga kjo gjykatë, na detyrojnë që t’ju përcjellim këtë informacion të shoqëruar me prova bindëse të cilat konfirmojnë se, ka të dhëna mëse të mjaftueshme se nga një apo disa gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese janë konsumuar shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit, veprimtari kjo në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 8577/2000, e që sipas parashikimeve të nenit 128 të Kushtetutës dhe nenin 10, 10/a të ligjit nr. 8577/2000, kërkojnë që nga ana juaj të merren masa për fillimin menjëherë të procedimit disiplinor.

Për Metën, Papajorgji nuk është zgjedhur si relatore e çështjes me anë të shortit, siç e parashikon ligjit, por është “përcaktuar”.

Në dosje nuk evidentohet ndonjë procesverbal i datës 3.12.2019, mbi hedhjen e shortit për rishortimin e kësaj dosjeje. As ndonjë urdhër i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese për caktimin e relatores për çështjen. Pra është tërësisht e paqartë dhe e pazbardhur se si i është caktuar zonja Fiona Papajorgji si relatore për këtë dosje. Duke prezumuar kështu faktin që, ose zonja Papajorgji ka shprehur dëshirën, ose është caktuar nga Kryetarja e Gjykatës si relatore e çështjes, pa hedhur një procedurë shorti si kërkesë taksative e ligjit.  Ky fakt meriton një hetim të plotë disiplinor.

Kryetari i Shtetit bën Papajorgjin fajtore edhe për faktin se Gjykata Kushtetuese nuk ka dërguar në Komisionin e Venecias asnjë prej pyetjeve të palëve të interesuara, përfshirë Shoqatës së Bashkive e Partisë “Bindja Demokratike”.

Nga praktika dokumentare që vetë Gjykata Kushtetuese i vuri në dispozicion Presidentit të Republikës, midis datave 25.6.2021 dhe 9.7.2021, moment ky kur është hartuar shkresa e Gjykatës Kushtetuese drejtuar Komisionit të Venecias, dosja gjyqësore nuk përmban asnjë dokument për të dokumentuar. Pra kjo pjesë e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese nuk pasqyrohet si e zbardhur në asnjë dokument, ç’ka krijon bindjen që Relatori i çështjes, zonja Papajorgji, që përgjigjet për ndjekjen dhe ecurinë e dosjes me veprimet e saj, ka shmangur dërgimin e pyetjeve dhe i ka paraqitur Kryetarit të Gjykatës për nënshkrim vetëm tre pyetje që janë ngritur prej saj.  Referuar dokumentacionit të dosjes gjyqësore, është krejtësisht e paqartë se si ka ndodhur kjo, dhe ky fakt në vetvete, që cenon dukshëm parimin e transparencës së Gjykatës Kushtetuese, kërkon hetim disiplinor të thelluar nga organi procedues për të arritur në një nivel objektiv përfundimesh se cila ka qenë përfshirja e relatores apo e anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese në këtë shkelje të procedurës së marrjes së një vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese.