Aktualitet Politikë

Vendoret e 14 majit, firmoset marrëveshja PD-PBDNJ!

Zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, sot u firmos marrëveshje mes Partisë Demokratike dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Firmat i hodhën kryetarët Sali Berisha dhe Vangjel Dule. Sipas dokumentit, PD do të mbështesë kandidatët e partisë së Vangjel Dules në bashkitë Himarë, Dropull e Finiq.

Sot, me datë 25 janar 2023, ne, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, firmosim marrëveshjen që vijon, pas konstatimit se Shqipëria është në momente kritike:

I.   për shkak të korrupsionit shkatërrimtar;

II.  të asgjësimit të pluralizmit politik në nivel vendor;

III. të shpopullimit masiv dhe tragjik;

IV.  të krizës ekonomike, që po çon në kolaps vendin;

V.   të qeverisjes së kapur peng nga trafiqet, paraja e pisët dhe korrupsioni.

Në këto kushte, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (në vijim PBDNJ), dakordësohen që t’i ofrojnë Shqipërisë një alternativë fituese në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, që përfaqëson vetëm interesat e qytetarëve dhe interesin më të lartë publik.

VENDOSIN:

1. Partia Demokratike e Shqipërisë dhe koalicioni i drejtuar prej saj do të mbështesë kandidatët për kryetar bashkie të propozuar nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në zonat zgjedhore bashkitë Himarë, Dropull dhe Finiq.

Kandidatët përkatës do të konsiderohen kandidatë të koalicionit opozitar dhe do të përfaqësojnë alternativën e opozitës së bashkuar në zgjedhjet e 14. 05.2023 në të njëjtën mënyrë, formë dhe mbështetje me kandidatët e tjerë të koalicionit të përzgjedhur nëpërmjet procesit të primareve të organizuara nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

2. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut angazhohet të mbështesë kandidatët për kryetar bashkie të Partisë Demokratike dhe koalicionit të drejtuar prej saj, në të gjitha zonat e tjera zgjedhore, bashkitë e vendit përveç atyre të përmendura në pikën

3. Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, në të gjithë territorin e vendit, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.

4. Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve, gjelbërimit të qyteteve dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Berisha deklaroi:

Përmbysja e këtij monizmi është përparësi absolute e çdo qytetari të lirë, e çdo opozitari dhe në këtë kontekst, ne së bashku me PBDNJ, OMONIA-n, bashkojmë forcat me bindjen se me 14 maj do i japim një goditje fatale sistemit monist.

Kreu i PBDNJ-së, Dule:

Eshtë një bashkëpunim i hershëm me PD-në e shpesh i suksesshëm. Dua të veçoj vitet 2005-2009, një prej katërvjeçarëve më të mirë të qeverisjes. Demokracia dhe shteti në Shqipëri janë në intubim. Rruga është e gjatë, por na garanton fitoren. 14 maji të jetë pikë e rëndësishme kthese.