Aktualitet

Vendoret e 30 qershorit, vendimi i Kushtetueses brenda 30 ditëve!

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot çështjen e vendoreve të 30 qershorit 2019, të bojkotuara nga opozita, ndërsa vendimi do të shpallet sipas afateve ligjore, deri në 30 ditë. Në seancë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të interesuara, si nga Kuvendi,  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Avokati i Popullit dhe partia Bindja Demokratike. Gjithashtu, mori pjesë kryebashkiakja demokrate e Shkodrës. Voltana Ademi bëri kërkesën në Kushtetuese për vlefshmërinë e votimeve të 30 qershorit. Palët diskutuan pretendimet për gati një orë e gjysmë.

Pas përfundimit të seancës në Gjykatën Kushtetuese, Jordan Daci, avokati i Shoqatës së Bashkive, tha se “opinioni i Venecias nuk është detyrues dhe jo aq i saktë”. Sipas tij, “vetë opinioni u referohet tre pyetjeve, ndërsa për gjykatën janë 20 apo 30 të tjera, me karakter të ndryshëm, që jo domosdoshmërisht lidhen me atë që thotë komisioni. Përfundimet e Venecias i konsideron kontradiktore, të cilat nuk mbështeten në teorinë e së drejtës kushtetuese”.

Në paragrafin 47 e pranon, në 27 pranon dhe në paragrafin 28 e mohon. Nga ana tjetër unë kam bërë pyetje dhe ia shtrova edhe gjykatës. Atëherë nëse nuk është Gjykata Kushtetuese, kush është në Republikën e  Shqipërisë autoriteti që vendos për shkeljen dhe garancitë kushtetuese? Si mund të shkojmë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut nëse Venecia e paska të saktë, nëse vetë Gjykata Europiane e Drejtave të Njeriut na thotë se duhet të kaloni fillimisht nga Gjykata Kushtetuese? Dhe përse Komisioni i Venecias nuk anashkalon me qëllim, me dhjetëra vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që lidhen me procesin zgjedhor? Kështu që Gjykata Kushtetuese ka kompetencë dhe për vetë faktin që po e gjykon.

Vetë opinioni u referohet tre pyetjeve ndërsa për gjykatën janë 20 apo 30 pyetje të tjera, të cilat janë me karakter të ndryshëm dhe nuk lidhen domosdoshmërisht me atë që thotë komisioni. Për më tepër, vetë komisioni thotë se gjykata mund të konstatojë zbrazëti. Po ashtu, komisioni thotë se gjykata ka kompetencë të përgjithshme kushtetuese. Dhe po komisioni thotë gjithashtu: gjykata mund të merret me aspektin e legjislacionit zgjedhor. Edhe këtë e thotë para zgjedhjeve, ndërkohë që ne kemi dy vendime të Gjykatës Kushtetuese pas zgjedhjeve që kanë shfuqizuar pjesë të Kodit Zgjedhor. Në këtë aspekt, ne mendojmë se ka kompetencë dhe Gjykata Kushtetuese do ta gjykojë përtej konkluzioneve të Komisionit të Venecias, të cilat janë kontradiktore dhe për mendimin tim nuk mbështeten në teorinë e së drejtës kushtetuese.

Më herët, Gjykata Kushtetuese iu drejtua Komisionit të Venecias për të marrë një opinion final në lidhje me votimet.